Palmer porosit opozitën: Qëndroni në sallë kur të votohet presidenti

Palmer porosit opozitën: Qëndroni në sallë kur të votohet presidenti

Mathew Palmer, ndihmës sekretari dhe përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka folur rreth votimit për president të Kosovës.

Ai në një intervistë për TV Dukagjinin ka thënë se opozita duhet të tregohet lojale dhe të sigurojë që ka kuorum në ditën e votimit të presidentit në Kuvend.

‘’Sa i përket zgjedhjeve për president, ne mendojmë se ato parti që do jenë në opozitë, të veprojnë me përgjegjësi si opozitë lojale. Lojale jo ndaj qeverisë, por lojale ndaj shtetit, të bëjnë punën e tyre. Të jenë të pranishëm, të sigurojnë që ka kuorum për të votuar dhe që institucionet të funksionojnë”, tha Palmer.

Palmer tha se dëshirojnë të shohin një qeveri partnere të fortë për SHBA.


“Nuk kemi të parapëlqyer në politikën e të tjerëve, punojmë qeveri që dalin nga zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike. Duket se ka rrugë të qartë përpara drejt një qeverie të fortë në Kosovë që mund të jetë partnere e tillë e SHBA-së”, tha ai.

Ndryshe, ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti u kanë dërguar sot një letër subjekteve politike me qëllim të konsultimit për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Letrat u janë dërguar PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe subjekteve politike nga komunitetet për takime të ndara më datën 15 mars.

KQZ ka shpallur më 4 mars rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, sipas të cilit Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 ulëse në Kuvendin e ri, pasuar nga PDK me 19, LDK 15 dhe AAK 8. Për formim të Qeverisë nevojiten 61 vota, ndërsa sa i përket presidentit, kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota.

Kandidaturën për president e kanë shpallur Vjosa Osmani dhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj.

Lexo edhe

Video