Padia zyrtare, Milan Radojçiq dhe 44 të tjerë akuzohen për terrorizëm në veri
Lexohet për: 2 min.
ZKP ZKM 24 9 2023 (32)
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se sot është ngritur aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku i akuzuari kryesor është edhe udhëheqësi i grupit Milan Radojçiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.

Isufaj në një konferencë për media, tha se për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe financimit të terrorizmit e shpëlarjes së parave.

Ai shtoi se ekzaminimet që janë bërë jashtë vendit, kanë ndikuar në vonesën për ngritjen e kësaj aktakuze.

Ndërkaq, prokurori Naim Abazi tha se janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur. Ai shtoi se gjatë këtij procesi janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe mbi 1 mijë e 200 armë dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për këtë rast.

Përveç kësaj, Abazi potencoi se janë siguruar qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.

Abazi potencoi se aktakuza përfshinë 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal.

Ai theksoi se i akuzuari kryesor është edhe Milan Radojçiq, i cili sipas tij, ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.

Në konferencë për media, Abazi tha se në kuadër të hetimit janë bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar, duke përfshirë vendet e Bashkimit Evropian,  Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete të tjera, për çka potencoi se janë siguruar dëshmi të rëndësishme.

Isufaj është pyetur edhe për deklaratat e ministrave dhe kryeministrit Kurti, të cilët kërkonin të ngritet aktakuza.

Ai shtoi se asgjë nuk mund të thonë më shumë për këtë fazë të procedurës, duke pas parasysh edhe prezumimin e pafajësisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024