Pa Neymar e Messi kundër Angers, Pochettino flet për ndeshjen vendimtare të titullit në Francë

Pa Neymar e Messi kundër Angers, Pochettino flet për ndeshjen vendimtare të titullit në Francë

Ylli argjentinas Lionel Messi do të mungojë në ndeshjen e radhës së Paris Saint-Germain, ku ky i fundit do të përballet kundër skuadrës së Angers, përballje kjo vendimtare për titullin e Ligës 1 të Francës.

Messi, i cili ka regjistruar tetë gola dhe 13 asistime në 29 paraqitje në të gjitha garat që prej transferimit të tij te PSG në verën e kaluar, momentalisht është duke u rikuperuar nga një lëndim në këmbën e tij të majtë, dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Angers, përcjell KosovaPress.

Skuadra e Pochettinos do të fitojë titullin e 10-të të Ligës 1 të Francës në histori të klubit nëse shënon fitore kundër Angers, ku do të barazohej me tituj me skuadrën e St. Etienne, si dy skuadrat me më së shumti tituj të fituar në histori të Ligës 1.


Sidoqoftë, pas Neymarit i cili nuk do të paraqitet në ndeshjen kundër Angers për shkak të suspendimit, Pochettino e konfirmoi që Messi është ndër lojtarët e shumtë që nuk do të paraqitet në këtë ndeshje, ku shumë të rinj do të kenë shansin e tyre për ta dëshmuar vetën.

“Disa lojtarë si Messi, Marco Verratti dhe Presnel Kimpembe do të mungojnë nesër sepse janë ende duke u rikuperuar. Neymar është i suspenduar. Do të ketë mundësi për lojtarët të cilët nuk luajnë shumë dhe do të jetë mundësi e mirë që të rinjtë të përfitojnë eksperiencë”, tha Pochettino.

“Kjo ndeshje do të jetë tejet e rëndësishme sepse do të na mundësonte neve që ta fitojmë titullin e 10 nëse fitojmë. Qëllimi është të vazhdojmë formën tonë nga ndeshjet e fundit. Kishim disa suksese dhe ne dëshirojmë që ta vazhdojmë atë gjë”, tha trajneri argjentinas.

Në ndeshjen e fundit, Paris Saint-Germain shënoi fitore me rezultat të ngushtë 2:1 kundër Marseille, dhe tani do të synojë të vazhdojë me fitore kundër Angers, fitore kjo e cila do të ishte e 12 me radhë kundër skuadrës së Angers.

Lexo edhe

Video