Osmani zotohet se do të jetë zëri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Nëpërmjet artit e pikturës të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës kanë treguar për dhimbjen dhe stigmën me të cilin u ballafaquan. Këto piktura u ekspozuan në oborrin e Kuvendit të Kosovës, ku edhe u shënua 14 prilli, Dita e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë ditë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se vajzat, grat e burrat që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës janë shndërruar në rrugëtimin e përbashkët për drejtësi, ku edhe theksoi se drejtësia do të jetë e qëndrueshme vetëm atëherë kur kriminelët që kryen këto krime do të përballen me drejtësi.

Ajo u zotua se do të jetë zëri i viktimave.

“Historia na ka dëshmuar se sa herë që kanë tentuar të na poshtërojnë  e të tentojnë të humbin dinjitetin tonë gjithmonë jemi kthyer më të fortë e më të zëshëm. Ju vajza e gra, burra e gra jeni shndërruar në rrëfyesin më të vërtetë e më të sinqertë të vuajtjeve dhe përjetimeve të popullit tonë, e njëkohësisht jeni shndërruar në motivin tonë të përditshëm, në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt drejtësisë. Heshtja për këto krime nuk ka vend në përpjekjet tona për drejtësi sepse drejtësia do të jetë e qëndrueshme vetëm atëherë kur kriminelët që kryen këto krime do të ballafaqohen me drejtësi. Lirinë e kemi fituar por paqja për shumë qytetarë e qytetare tona nuk do të jetë e plotë përderisa drejtësia dhe ndëshkimi për krimet e bëra të jetë përfundimtar[…]zëri juaj do të jem sot e çdo ditë, ju garantojë që zëri ynë është dhe do të jetë përherë edhe zëri juaj”, tha Osmani.

E para e shtetit u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që t’i trajtojnë të gjitha këto raste me prioritet.

“Sot kemi zgjedhur artin që të flasim për dhimbjen, kemi zgjedhur pikturën për të folur edhe për stigmën me të cilën janë ballafaquar gra e burra të vendit tonë, për paragjykimet dhe vështirësitë që janë ballafaquar e ballafaqohen të mbijetuarit e dhunës seksuale. Sot këto imazhe do të flasin më shumë sesa çdo fjalë sepse nëpërmjet tyre gra e burra kanë treguar se si do të donin ata e ato të shohin botin. Sot thirrja jonë poashtu është ndaj institucioneve të drejtësisë që t’i trajtojnë të gjitha këto raste me prioritet”, tha Osmani.

E mbijetuara e dhunës seksuale, Shyhrete Tahiri pati disa kërkesa për presidenten e vendit, ndërsa të mbijetuarve të dhunës seksuale u bëri thirrje që të shfrytëzojnë të drejtat e garantuara me ligj dhe të aplikojnë për njohjen e statusit si dhe të angazhohen më shumë për qasje në drejtësi.


“I bëjë ftesë presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe deputetëve që të angazhohen maksimalisht në plotësimin e kërkesave tona. Të njihet ligjërisht 14 prilli si ditë zyrtare, memoriale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të shqyrtohen dhe plotësohen kërkesat për ndryshime ligjore të renditura në letrën avokuese në mënyrë që të plotësohen zbrazëtira ligjore dhe të mbijetuarit e luftës të përfitojnë nga këto ndryshime. Po ashtu ju bëjë thirrje të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovës që të shfrytëzojnë  të drejtat e garantuara me ligj dhe të mbështetura nga katër organizatat e autorizuara të aplikojnë për njohjen e statusit si dhe të angazhohen më shumë për qasje në drejtësi”, ishin kërkesat e Tahirit.

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) thotë të kenë kërkuar nga presidentja Osmani që të kenë përkrahen e vazhdueshme që kauza e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës të avancohet edhe më tej përmes ndryshimeve ligjore.

“Sot dita 14 prill është një ditë e veçantë për ne si organizata qeveritare dhe pikërisht është kërkuar nga presidentja që këtë ditë ta mbështesë si ditë të veçantë të kujtojmë vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificën e mijërave grave dhe burrave të cilët padrejtësisht u dhunuan gjatë periudhës së luftës. Në këtë ditë ne kemi kërkuar që të kemi përkrahjen e vazhduar të presidentes Osmani në mënyrë që kauza e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës të avancohet edhe më tutje përmes ndryshimeve ligjore…Ky proces është plotësisht i garantuar dhe identiteti i të mbijetuarve të dhunës seksuale asnjëherë nuk shpaloset. Do të thotë janë të gjitha masat e parapara që të mbijetuarit e dhunës seksuale të mos iu shpaloset identiteti, të iu ruhet privatësia. Në këtë ditë të veçantë shpresoj shumë institucionet e Kosovës ashtu siç kanë qenë do të vazhdojnë të jenë përkrahës të kësaj kauze”, u shpreh Rushiti.

Rushiti edhe njëherë bëri të ditur kërkesat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

14 prilli të jetë ditë zyrtare memorialë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, emërtimi i komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës të ndryshohet nga verifikimi të jetë vetëm njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, afati që viktimat të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre të mos kufizohet pesë vite ashtu siç është aktualisht në ligj por të jetë e drejtë e përhershme e garantuar me ligj, t’iu mundësohet viktimave të cilave iu është njohur statusi si viktimë e dhunës seksuale të gëzojnë të drejtën me pension personal që nga data e aplikimit për njohjen  statusit pastaj të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës të iu mundësohen të drejtat e barabarta sikurse edhe kategorive të tjera të dala nga lufta, janë këto kërkesat që Rushiti i bëri të ditur gjatë ekspozitës së sotme.

Kujtojmë që një vit më parë presidentja Osmani pati propozuar që më 14 prill të shënohet Dita e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo datë përkon me ditën e rrëmbimit të Vasfije Krasniqit nga forcat serbe.

Më 14 prill të vitit 1999, Vasfije Krasniqi u rrëmbye me forcë dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe.

Llogaritet që në tërë vendin janë edhe 20 mijë të mbijetuar të dhunës seksuale në tërë vendin.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.