Osmani udhëtoi në Washington me ftesë të Blinken
Lexohet për: 2 min.
0-Vjosa-Osmani-2022-13
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Washington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.

Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, Presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.

Sipas një komunikate të Presidencës, kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

 “Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja. Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

 Samiti i NATO-s në Washington D.C., shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025