Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar strukturat udhëheqëse të Odës Ekonomike Amerikane.
Promovimi i koordinuar i potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimi i dialogut publiko-privat, ishin temë diskutimi e këtij takimi.Ndërsa, duke folur për popullsinë e Kosovës, e cila vijon të jetë popullsia më e re në moshë në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani tha se kapitali njerëzor është aseti më i rëndësishëm i Kosovës.
Në ndërlidhje me këtë, presidentja Osmani theksoi nevojën e investimit në zhvillimin e vazhdueshëm të kapitalit njerëzor.
Në takimin në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Presidentja Osmani, foli edhe për kontributin e tejçmuar të SHBA-së në fuqizimin ekonomik por edhe subjektivitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata të rëndësishme e konventa ndërkombëtare.
Duke folur për sektorin e drejtësisë në vend, presidentja Vjosa Osmani tha se progresi në aspektin ekonomik e social, do të duhej përcjellur edhe me fuqizimin e vazhdueshëm të sektorit të drejtësisë, si në aspekt të profesionalizmit, ashtu edhe në atë të integritetit, në mënyrë që sektori privat dhe segmentet e tjera të shoqërisë të mund të rrisin besimin në institucionet e drejtësisë dhe promovimin e parashikueshmërisë ligjore.