Osmani takon ish presidentët: Ndërtimi i një modeli të ri të konsultimit i domosdoshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ish-presidentët, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga.

E para e shtetit tha se i ka ftuar ish presidentët për të krijuar kulturë të re të konsultimit dhe respektimit të memories dhe traditës institucionale.

“I kam ftuar që të tre për të ndërtuar një kulturë të re institucionale të respektimit të memories dhe traditës institucionale. Kjo është e domosdoshme nëse dëshirojmë që shteti ynë të ecë përpara duke mësuar ata që i kanë shërbyer shtetit, qoftë këtij institucioni, qoftë institucione të tjera në periudha të ndryshme. Po ashtu për të ndërtuar një model të ri të konsultimit të vazhdueshëm me ish-presidentët, sidomos me çështje që janë të interesit nacional, të mirëqenies së qytetarëve tanë për të mësuar nga përvoja e tyre. Vazhdimisht t’i bashkojmë forcat tona që t’i zgjidhim problemet në të cilat ballafaqohen qytetarët tanë”, tha ajo.

Zgjedhjen e Osmanit në krye të shtetit, e vlerësoi si zgjidhje të mirë, ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, i cili kërkoi edhe bashkëpunim institucional të institucionit të Presidentit me Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë.

“Mendoj që është një zgjedhje e mirë. Natyrisht Kosova tash e sa kohë është me peripeci në proceset zgjedhore, por që ka marrë mbështetjen e institucionit më të lartë të vendit. Ajo përgjegjësi e marrë do të materializohet me veprimtari të pandërprerë, suksesshme dhe në dobi të vendit[…]të punoni drejtë bashkëpunimit të thellë institucional me institucionet e vendit. Me parlamentin, qeverinë dhe institucionet e tjera dhe me shoqërinë civile”, u shpreh ai.


Ndërsa, ish e para presidente grua në Kosovë, Atifete Jahjaga tha se Osmani është zgjedhja e duhur për qytetarët dhe veçanërisht për avancimin e rolit të gruas në Kosovë.

“Jeni duke vazhduar një traditë jashtëzakonisht të mirë të konsultimit dhe koordinimit edhe me ish-presidentët. Ky është funksioni edhe detyra e presidentit të vendit. Jeni zgjedhja e duhur në momentin e duhur për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, veçanërisht për gruan e Kosovës, kemi shumë punë për të bërë së bashku”, u shpreh ajo.

Përkrahje Osmanit i ofroi edhe ish-presidenti tjetër, Behgjet Pacolli.

“Jam i lumtur që Kosova ka një përfaqësim dinjitoz dhe ne do të qëndrojmë prapa me fuqinë tonë që kemi, atë që dimë dhe atë që mundemi. Një është e sigurt që vullneti dhe dëshira nuk mungojnë”, deklaroi ai.

Kjo është java e dytë prej kur Vjosa Osmani ka marrë detyrën e presidentit të vendit, pasi mori votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Lexo edhe

Video

error: