Presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar që ndërkombëtarët t’i kërkojnë llogaridhënie Serbisë për veprimet e saj kundër Kosovës. Në një takim me ambasadorët e QUINT-it, Osmani ka thënë se Serbisë i duhet bërë e qartë se duhet të ndalojë financimin dhe mbështetjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.
Në takimin me ambasadorët e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, Osmani ka diskutuar për situatën e sigurisë në vend pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën në Banjskë të Zveçanit.
“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.
Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla.
“Presidentja ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për të ndihmuar në arritjen e ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Sipas Presidentes Osmani, duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste”, ka njoftuar Presidenca.
“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka theksuar Osmani.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore. Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar tetë persona.