Osmani takohet me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike

Osmani takohet me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani  dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, u takuan sot me përfaqësuesit e Organizatës së Konferencës Islamike, të prirë nga sekretari i Përgjithshëm, Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen.

Në këtë takim, presidentja Osmani i kërkoi sekretarit Al-Othaimeen përkrahje në sigurimin e njohjeve të reja nga vendet anëtare të Konferencës Islamike, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ajo nënvizoi gatishmërinë e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik me vendet anëtare të kësaj organizate.


Ministrja Gërvalla, ndërkaq, theksoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim me shtetet e Konferencës Islamike në fusha të ndryshme, duke thelluar kështu raportet bilaterale me këto shtete.

Sekretari Al-Othaimeen, shprehu vullnetin e tij për thellim të bashkëpunimit, si dhe nënvizoi faktin se në vitin 2018 u ka kërkuar vendeve anëtare të Konferencës Islamike, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë sa më parë.

Ndërkaq, presidentja Osmani theksoi se ripërsëritja e kësaj thirrjeje ndaj shteteve anëtare do të ndihmonte Kosovën si shtet që e ka fituar lirinë dhe pavarësinë e saj pas shumë sakrificave dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Lexo edhe

Video