Osmani takim me Stoltenberg: E ardhmja e Kosovës është në BE, NATO dhe OKB

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot në takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se e ardhmja e Kosovës është në BE, NATO dhe OKB.

Osmani ka falënderuar Stoltenberg për rolin vendimtar të Aleancës Veri-Atlantike në lirinë e Kosovës, dhe kontributin e tashëm për një ambient të qetë e të sigurt nëpërmjet trupave të KFOR-it.


“Ne po punojmë me përkushtim që të anëtarësohemi në NATO. Kemi nevojë për mbështetjen e kësaj organizate edhe me anëtarët e NATO-s, të cilët nuk e njohin Kosovën”, tha Osmani.

Ajo ka falënderuar Stoltenberg për mbështetjen e KFOR-it për trajnimin e FSK-së, e cila procesin e tranzicionit në ushtri po e kryen konform standardeve të NATO-s, duke qenë e denjë për t`u bërë pjesë e kësaj organizate.

Osmani ka përmendur edhe mbështetjen e KFOR-it dhënë komunave në përballje me pandeminë Covid-19. Ndërkaq në kontekstin e sigurisë rajonale, presidentja ka përmendur edhe rrezikun nga ndikimi rus në Ballkan, ndaj e ka konsideruar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë tejet të rëndësishëm.

Lexo edhe

Video