Osmani: S’ka pajtim për shtyrjen e zgjedhjeve, mbetet data 17 tetor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit sot pasdite me partitë politike ka deklaruar se në mungesë të konsensusit të partive politike nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve lokale dhe se ato do të mbahen me 17 tetor.

Osmani u shpreh meqenëse Kushtetuta e Kosovës është e heshtur për shtyrjen e zgjedhjeve, mënyra e vetme për të ndodhur një gjë e tillë është arritja e pajtimit në mes të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, pajtim i cili u shpreh se ka munguar në takimin e sotëm.

Megjithatë, Osmani tha se janë dakorduar me të gjitha partitë politike se në qoftë se do të ketë “eskalim” të gjendjes me COVID-19, do të diskutojnë nëse ka nevojë që të rikonsiderohet data e zgjedhjeve.

“Meqenëse nuk ka pasur pajtim në mes të partive në pushtet dhe atyre në opozitë nuk ka për momentin bazë të mjaftueshme apo bazë të krijuar në bazë të standardeve ndërkombëtare për shtyrjen e zgjedhjeve. Unë besoj sikurse secili prej jush që e drejta për të votuar është e shenjtë, siç është edhe përgjegjësia jonë kolektive për ta ruajtur atë të drejtë, por mbi këtë dhe çdo të drejtë tjetër qëndron e drejta në jetë e qytetarëve tanë, e cila nuk duhet të mbrohet vetëm nga individët, por edhe nga shteti. Pikërisht këtë të drejtë kam synuar ta mbroj kur i kam ftuar të gjitha partitë që ta gjejmë një gjuhë të përbashkët për një shtyrje sado të shkurtër të zgjedhjeve, e cila edhe pse do të ishte shtyrje do të ishte në këmbim të mbrojtjes së burrave, grave, fëmijëve dhe të moshuarve tanë”, tha Osmani.

Sa i përket fushatës zgjedhore, Osmani u shpreh se ka pasur dakordim nga të gjitha partitë politike që të diskutohet se si të zhvillohet ajo, por theksoi se deri më tash masat janë shkelur nga vetë partitë politike.


“Pajtimi në fund ka qenë që do të ulemi dhe do të diskutojmë bashkërisht me shpresën që do të gjejmë një pajtim rreth mënyrave se si do të zhvillohet kjo fushatë me shpresën që nuk shkelen masat. Ne po e shohim edhe tash përkundër masave ka fushatë me 300, 400 veta pa maska, pa distancë që përfaqësues të caktuar politik e bëjnë. Prandaj, po shpresoj që udhëheqësit e partive të sigurohen që të gjithë kandidatët e tyre në këto zgjedhje lokale t’i respektojnë këto masa”, u shpreh Osmani.

Në rast të pajtueshmërisë në mes partive politike për shtyrje të zgjedhjeve, Osmani tha se zgjedhjet lokale do të mund të shtyheshin më së largu deri në dhjetor të këtij viti.

“Ligji për zgjedhje parasheh që zgjedhjet mund të mbahen deri 30 ditë pas përfundimit të mandatit të kryetarëve dhe asambleve komunale aktuale, që nënkupton që shtyrja më e madhe mund të ishte deri në dhjetor, përafërsisht dy muaj, por jo më shumë. Për profesionistët shëndetësorë kjo do të nënkuptonte një ndihmesë të madhe, sepse do t’u lejonte që ta merrnin nën kontroll situatën shumë të rëndë që për momentin e kemi në spitalet tona dhe do të liroheshin nga barra e madhe, madje buzë kolapsit që ekziston për momentin”, tha Osmani.

E para e shtetit i është përgjigjur edhe akuzave se është në shërbim të kryeministrit Albin Kurti, sa i përket shtyrjes së mundshme të datës së zgjedhjeve lokale.

“Çfarë keni dëgjuar këto ditë nga njerëz të caktuar se kinse presidentja e vendit i shërben këtij ose atij, janë pseudo-argumente që janë demaskuar sot dhe kanë qenë të demaskuara që nga fillimi, sepse në asnjë moment ftesa që i kam  dërguar partive politike nuk ka pasur të bëjë me qëndrim apo vendim për shtyrje të zgjedhjeve, por thjesht për një standard të ri ku kërkohen konsultime me parti, e jo standarde që i keni parë deri më tani ku një ditë para zgjedhjeve janë shtyrë ato pa konsultim me askënd e pa e pyetur askënd për qëndrimin e tyre”, tha Osmani.

Osmani është përgjigjur edhe rreth pjesëmarrjes në takimin e sotëm të kryetares së Alternativës Mimoza Kusari Lila dhe përfaqësueses nga Lista Guxo, për çka tha se kanë qenë të ftuar të gjithë ata që janë të përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës.

Lexo edhe

Video

1 Koment

  • ​Fillon sot fushata zgjedhore - KosovaPress , September 16, 2021 @ 6:06 am

    […] lokale do të mbahen më 17 tetor Osmani: S’ka pajtim për shtyrjen e zgjedhjeve, mbetet data 17 tetor KQZ miraton dizajnin e fletëvotimeve për zgjedhjet e 17 […]

Komentet janë të mbyllura.

error: