Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të këngëtarit Ismet Bogujevci

Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të këngëtarit Ismet Bogujevci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të doajenit të këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevcit.

“Sot humbëm zërin unik të këngës sonë popullore. Ismet Bogujevci është artisti i këngës që një jetë të tërë ia kushtoi jetës skenike muzikore. Me Ansamblin “Shota”, ai afirmoi traditën dhe kulturën tonë muzikore, ndaj me të drejtë bart titullin e doajenit”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas saj, brezave do t`u mbetet trashëgim një fond i pasur i muzikës së mirëfilltë shqipe të interpretuar nga Ismet Bogujevci.

“Në këtë opus interpretues të Ismet Bogujevcit, gjurmë të pashlyeshme do të lë interpretimi maestral i këngës “Kur ma falë një tufë gërshetë”, në duet me Bilbilin e këngës shqipe, Nexhmie Pagarusha. Muzika ishte jeta për të, ndaj ikja  do të lë një zbrazëtirë në skenën muzikore të Kosovës. U dëgjoftë përherë zëri i Ismet Bogujevcit”, thuhet në mesazhin e presidentes Osmani. 


Ndryshe, sot ka ndërruar jetë figura e çmuar e kulturës kosovare, doajeni i muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci.

Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, do të organizojë një ceremoni komemorative nesër më 14 maj.

Nga ora 11:00 – 11:15 mbahet parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit Zahir Pajaziti deri në Teatrin Kombëtar, ndërsa nga 11:30 – 14:00 mbahet ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti.

Ismet Bogujevci ishte solisti ndër dekada i Ansamblit Kombëtar ‘Shota’ dhe i shumë shoqërive që kanë lënë nam në Kosovë dhe trojet shqiptare. Ai ka interpretuar një mori këngësh të famshme e ka pasur edhe shumë bashkëpunime. “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit” – janë vetëm disa prej projekteve të tij të njohura.

Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në ora 16:00 në varrezat e qytetit në “Arbëri”, duke respektuar masat kundër COVID-19.

Lexo edhe

Video

error: