Osmani: SHBA udhëhoqi rrugën, bota demokratike e ndoqi në mbështetje të lirisë së Kosovës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Osmani: SHBA udhëhoqi rrugën, bota demokratike e ndoqi në mbështetje të lirisë së Kosovës
2 orë më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin e saj para mijëra pjesëmarrësve të Lutjeve të Mëngjesit, organizuar nga Kongresi amerikan në Uashington.

Osmani ka theksuar se gjithmonë do të ketë forca për të kthyer botën mbrapa duke parë se si ndarja, frika dhe urrejtja mund të përdoren për të përçarë njerëzit.

“Ato janë kërcënime reale për lirinë dhe ato sfidojnë njerëzit miqësorë dhe vende si Kosova dhe SHBA si dhe shumë të tjera që kanë punuar shumë për t’u ndërtuar”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se SHBA udhëhoqi rrugën, ndërsa bota demokratike e ndoqi në mbështetje të lirisë së Kosovës.

Ajo shtoi se Kosova si shtet zgjedh lirinë dhe humanizmin, si dhe besimin duke cituar ish-presidentin Ibrahim Rugova: “Ne kemi besuar tek Zoti dhe ky besim na ka mbajtur gjallë”.

Osmani tha se fjalët e ish-presidentit pasqyrojnë jo vetëm një besim personal, por një të vërtetë kombëtare që kur përballeshim me shtypjen, besimi ynë në Zot, në liri e drejtësi dhe në kauzën tonë na çoi përpara.

Këtë vit, bashkëkryesues nderi i Mëngjesit të Lutjeve janë senatorja demokrate Maggie Hassan dhe senatori republikan Roger Marshall.

Në vitin 2023, Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve u nda në dy aktivitete, një në Kapitol, ku morën pjesë kryesisht ligjvënës dhe zyrtarë qeveritarë dhe një aktivitet më i madh privat që mblodhi në një hotel me mijëra vetë.

Ndarja ndodhi pasi ligjvënësit kërkuan të distancohen nga grupi fetar që për dekada ka organizuar aktivitetin më të madh në kuadër të Mëngjesit të Lutjeve, për shkak të pikëpyetjeve lidhur me mënyrën e organizimit të tij dhe se si po financohej.

Në vitin 2023 dhe 2024, presidenti demokrat Joe Biden foli në aktivitetin që u mbajt në Kapitol dhe komentet e tij u transmetuan drejtpërdrejt edhe në aktivitetin tjetër.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025