Osmani: Serbia vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz i sigurisë së Kosovës
Tjera
Lexohet për: 2 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se Serbia vazhdon të mbetet kërcërnimi më serioz dhe kryesor ndaj sigurisë së Kosovës. Ajo ka shtuar se ky shtet fqinj po vepron kundër integrimit të vendit në institucione ndërkombëtare. Sipas saj, Serbia përmes metodave të luftës hibride po synon ngritjen e tensioneve në veri të vendit. Kështu ka deklaruar ajo në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temën "15 vite të mbikëqyrjes të sektorit publik të sigurisë".

Presidentja e ka deklaruar se Serbia vazhdon të paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e gjithë rajonit duke shtuar edhe kapacitetet ushtarake.

“Serbia, si satelit i Rusisë në Ballkanin Perëndimor vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz dhe kryesor ndaj sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës. Republika e Serbisë vazhdon të përdor në mënyrë të sinkronizuar të gjitha elementet e saj, përmes metodave hibride kundër Republikës së Kosovës. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ajo vepron kundër shtetësisë dhe integrimit të Republikës së Kosovës në institucione ndërkombëtare.”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj, prania e NATO-s është faktori kyç në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale.

Në tryezën e organizuar nga QKSS, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se mjedisi i sigurisë në vend varet nga ai global.

Lufta e padrejtë e Rusisë, siç ka potencuar Osmani, duhet të shërbejë si ilustrim se vakumi gjithmonë keqpërdoret nga shtetet që kanë qëllime malinje. Ndërtimi, zhvillimi dhe forcimi i institucioneve të sigurisë, ajo ka thënë se kanë ndikuar që Kosova të shndërrohet në promovues të sigurisë.

Derisa ka folur për ngritjen e kapaciteteve, presidentja Osmani ka përmendur edhe stërvitjen më të madhe të NATO-së, "Defender Europe", që do të organizohet në muajin e ardhshëm.

Ajo është shprehur se si komandante supreme së bashku me institucionet tjera të sigurisë kanë miratuar strategjinë e sigurisë.

Në konferencën e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Osmani ka shtuar se të njëjtit kanë dhënë kontribut në reformën në siguri, me hulumtime profesionale dhe forcimit e parimit të qeverisjes së mirë./Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024