Osmani: Prona, mundësi për pavarësi ekonomike dhe fuqizim të zërit të grave dhe vajzave

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci, kanë organizuar sot diskutimin me temën “Të drejtat pronësore dhe dhuna në familje”, nga ku u tha se gratë e vajzat në Kosovë vazhdojnë të mos trashëgojnë pronë nga familja e tyre.

Në këtë diskutim mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se të diskutosh për të drejtën pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore është përçim i një mesazhi të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushtet themelore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen edhe të sigurta, por edhe të fuqizuara.

Presidentja Osmani theksoi se prona krijon mundësi për pavarësi ekonomike dhe fuqizim të zërit të grave dhe vajzave kundruall padrejtësive dhe pabarazive.

Ajo deklaroi se barazia është e pamundur pa fuqizimin ekonomik e pa respektim të të drejtave pronësore.

“Prona përbën një instrument të fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi të gjitha. Gratë dhe vajzat siç kemi dëgjuar padyshim janë shtyllë e fuqishme e shoqërisë tonë, pjesëmarrja e barabartë e tyre në çdo proces krahas burrave kontribuon jo vetëm ne të mirën e familjes, por edhe të gjithë  shoqërisë dhe ekonomisë sonë në përgjithësi. Ky kontribut ngërthen në vete edhe trashëgiminë edhe të drejtën pronësore, e cila pa dyshim është mbrojtje dhe garanci për mirëqeni, për pavarësi dhe integritete dinjitet. Prona krijon mundësi për pavarësi ekonomike dhe fuqizim të zërit të grave dhe vajzave kundruall padrejtësive dhe pabarazive. Si rezultat i prezencës së mëtejme të qasjes patriarkale e diskriminuese në raport me të drejtën pronësore gjendja aktuale për sa i përket trashëgimisë vazhdon të mos jetë e kënaqshme. Një përqindje shumë e vogël e pasurisë nga prindërit trashëgohet nga vajzat, ndërkaq një përqindje po ashtu shumë e vogël është sa i përket grave  janë pronare të pronave”, tha ajo.

Osmani tha se të dhënat për zotërimin e pronës nga vajzat dhe gratë janë në nivel tejet të ulët, e që tha se edhe kjo është shqetësuese.

Pavarësisht ligjeve dhe Kushtetutës që e ndalon në mënyrë të qartë diskriminim, Osmani u shpreh se kodi zakonor është shumë relevant në shumë pjesë të shoqërisë.

E para e shtetit deklaroi se sistemi gjyqësor duhet t’i trajtojë kërkesat për të drejtat pronësore të grave në mënyrë të drejtë, efikase dhe pa vonesë.

Osmani tha se mungesa e një sistemi efektiv të të drejtave pronësore dhe mungesa e koordinimit sistematik në luftimin e dhunës në familje dobëson sundimin e ligjit, ndikon negativisht në respektimin e të drejtave të njeriut, dobëson pozitën e grave e rrjedhimisht barazinë gjinore në shoqëri.


“Numri i rasteve që raportojnë dhunën është rritur krahasuar me vitet e kaluara, izolimi përgjatë pandemisë është parë si një prej kontribuuesve kryesor në këtë drejtim, e shpesh herë pamundësia për të pasur strehën tënde si grua e përkeqëson situatën shumë më shumë. Andaj nuk kemi të bëjmë vetëm me të drejtën në pronë, por mbi të gjitha me një mundësi për t’i thënë stop dhunës. Por, asgjë nuk fillon dhe as nuk përfundon me pronën. Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për mobilizim të gjithmbarshëm të shoqërisë sonë e të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj luftimit të dhunës mbi baza gjinore… Si presidente e vendit së bashku me institucionet e tjera do të angazhohem në secilën ditë të punës që gratë të mbrohen nga dhuna, kjo dhunë të eliminohet, ndërkaq të drejtat e tyre të respektohen. I ftoj institucionet e drejtësisë që rastet e dhunës ndaj grave të trajtohen me prioritet dhe dhunuesit të marrin dënimet e merituara. Sepse shumë raste të dhunës e vrasjeve ndaj grave do të mund të parandaloheshin nëse institucionet do të kishin kryer ashtu siç duhej e atëherë kur duhej”, tha Osmani.

E para e shtetit tha se heshtja ndaj pabarazive e padrejtësive kurrë nuk duhet të jetë alternativë, pasi tha se heshtja dhe mosndëshkueshmëria janë njëkohësisht nxitje për kryerësit e veprave të dhunës.

Shefi i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se si mision janë të përkushtuar për barazi gjinore dhe lufta kundër dhunës me bazë gjinore ka vazhduar të jetë prioritet përgjatë mandateve te ndryshme të EULEX-it.

“Fakti se shumica e grave në Kosovë nuk i ushtrojnë të drejtat e tyre themelor të njeriut për pronësi mbi pronë është një prej shkaktarëve rrënjësore të dhunës në familje. Ndonëse gratë në Kosovë kanë të drejt ligjore për të qenë pronare të pronave, traditat patriarkale dhe normat sociale anakroniste i privojnë ato nga ushtrimi i këtyre të drejtave themelore. Faktet dhe statistikat flasin mjaftueshmen, vetëm 17 përqind e grave në Kosovë janë pronare te pronave, ndërsa vetëm 7 përqind e grave në Kosovë trashëgojnë pronë. Per t’i përkeqësuar gjërat, shumë gra të Kosovës çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronë duke thelluar kështu pabarazitë aktuale për sa i përket pronësisë së pronës. Rreth 19 përqind të grave ne Kosovë kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre pronësore apo të trashëgimisë, ndërsa rreth 38 përqind e burrave dhe 33 përqind r grave nuk mendojnë se gratë duhet të kenë mundësinë e trashëgimit të pronës nga familjet në të cilat janë lindur”, tha ai.

Wigemark tha se vetëm 14 përqind e grave në Kosovë janë zyrtarisht të punësuara dhe kanë burimet e tyre të të ardhurave, derisa theksoi se puna e shumë grave si amvise nuk materializohet.

Ai u shpreh se misioni i EULEX-it nuk do të kursejë asnjë përpjekjeje për të punuar së bashku me autoritetet e Kosovës për zbatimin e Konventës së Stambollit.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, tha se sfidë kryesore për institucionet është luftimi i trajtimit të pabarabartë në mes vajzave dhe djemve brenda familjes, derisa tregoi se çka janë duke bërë si ministri për të luftuar dhunën ndaj grave.

“Sfida kryesore është ta luftojmë fillimisht këtë mendësinë personale që e kemi brenda familjeve tona për sa i përket trajtimit jo të barabartë mes vajzës dhe djalit në familjen e ngushtë dhe e njëjta reflektohet edhe në çështjen e pronës… Jemi drejtë finalizimit të strategjisë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave dhe planit të veprimit për vitin 2022-2026”, tha ajo.

Në kuadër të këtij diskutimi është bërë edhe lansimi i fushatës për rritjen e ndërgjegjësimit “Mos vazhdo të jesh viktimë e dhunës në familje vetëm pse nuk ke nga të shkosh. Kërko të drejtën tënde në pronë.”

Lexo edhe

Video

error: