Osmani për vizitë zyrtare në Austri

Osmani për vizitë zyrtare në Austri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të homologut të saj Alexander Van der Bellen, të martën do ta nisë vizitën zyrtare në Austri.

Osmani gjatë takimit me Van der Bellen do të diskutojë për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës në rrugën evropiane, procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare si dhe konkretizimin e bashkëpunimit për avancimin e Agjendës së Gjelbër.

Gjatë vizitës zyrtare në Austri, presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Gewessler me të cilët do të shqyrtohet mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore.


Presidentja Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e institucionalë.

Është paraparë një takim me Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare, si dhe me Odën Ekonomike Austriake. Ndërkaq në Akademinë Diplomatike të Vjenës, presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën “Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storiet e Suksesit”.

Vizita e Osmanit në Austri vjen pas qëndrimit të saj në Turqi, ku mori pjesë në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) dhe në Forumin Diplomatik të Antalia.

Lexo edhe

Video