Osmani në Nju Jork: Dialogu me Serbinë të përmbyllet me njohje reciproke

Osmani në Nju Jork: Dialogu me Serbinë të përmbyllet me njohje reciproke

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot se pala kosovare synon vazhdimin e procesit të dialogut me palën serbe në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ajo gjatë një takimi në Nju Jork me kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah, ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.

Presidentja Osmani i kërkoi kryeministrit të Kuvajtit përkrahje që ky vend të vazhdojë mbështetjen e Kosovës për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, Osmani kërkoi mbështetjen në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe të ushtrojë ndikim pozitiv në vendet e Organizatës Islamike, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duke qenë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon.


Më tej, presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve me Kuvajtin. Në këtë kontekst, ajo përmendi praninë e ushtarëve të FSK-së në misionin paqeruajtës në Kuvajt, të cilët ndodhen në këtë shtet në kuadër të angazhimit të përbashkët me ushtarët amerikanë nga Garda e Iowas.

Osmani dhe Al-Hamad Al-Sabah u pajtuan për ta finalizuar nënshkrimin e disa marrëveshjeve, përfshirë edhe atë mbi “Statusin e Anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë Stacionit të tyre të përkohshëm në Shtetin e Kuvajtit”.

Presidentja ka theksuar se Kosova synon ta finalizojë edhe një marrëveshje për mbrojtjen e ndërsjellë dhe promovimin e investimeve të huaja.  

Kryeministri Al-Hamad Al-Sabah, ndërkaq, e ka përgëzuar Kosovën për arritjet dhe ka shfaqur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë mes dy vendeve, si dhe realizimin e projekteve të rëndësishme.

Të dyja palët u pajtuan për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve diplomatike, si dhe mirëpritën idenë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Kuvajt dhe atë të Kuvajtit në Kosovë. 

Lexo edhe

Video