Osmani në Austri: Me Serbinë asnjë zgjidhje tjetër përveç njohjes reciproke me kufijtë aktual të Kosovës

Osmani në Austri: Me Serbinë asnjë zgjidhje tjetër përveç njohjes reciproke me kufijtë aktual të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka ripërsëritur qëndrimin zyrtar se me Serbinë nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç njohjes reciproke me kufijtë aktual të Kosovës.

Osmani në konferencën e përbashkët me homologun e saj austriak, Alexander Van der Bellen, u pyet nga gazetarët edhe për qëndrimin e Kosovës karshi dialogut me Serbinë, i cili po vazhdon me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.

Ajo tha se BE-ja duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se nuk mund të luajë me dy karta, porse duhet të qartësojë pozicionin e saj.

“Asnjë zgjidhje tjetër përveç njohjes reciproke me kufijtë aktual të Kosovës nuk do të mundë të sillte paqe të qëndrueshme në rajonin tonë. Mendoj që BE-ja duhet të jetë i qartë me Serbinë që ajo nuk mund të luajë me dy karta, edhe me Rusinë edhe me BE-në. Ajo nuk mund të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë. Duhet ta zgjedhë se cila është rruga e saj e vërtetë, e jo të hiqet si proevropian në njërën anë dhe ta rrisë bashkëpunimin në çdo sfera me Rusinë, duke rrezikuar të gjithë rajonin tonë nga influenca ruse”, tha ajo në konferencën e përbashkët me homologun e saj austriak.

Osmani tutje tha se Serbia në Kosovë ka bërë shumë krime dhe ajo çfarë kërkon vendi ynë është vetëm drejtësi dhe jo hakmarrje.

Ajo ftoi presidentin serb Aleksandër Vuçiq që së paku të vendosë një lule në Batajnicë në shenj nderimi për qindra fëmijë e civilë shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.


Osmani ripërsëriti se drejtësia është parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon.

“Për këto krime akoma nuk ka drejtësi dhe kërkimfalje nga Serbia. Unë i bëj ftesë presidentit Vuçiq që së paku ta vendos një lule në Batajnicë në varrezën masive ku janë gjetur qindra fëmijë të vegjël, gra të cilët ishin vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ajo çka duhet të them është se për të pasur sukses cilido proces, jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por historia ka dëshmuar çdoherë kur ka pasur luftë dhe padrejtësi ajo që ka qenë parakusht për të arritur paqe të qëndrueshme, ka qenë drejtësia. Andaj ne si Kosovë kërkojmë drejtësi nuk kërkojmë hakmarrje. Kërkojnë që të na kthehen eshtrat e personave të pagjetur në mënyrë që familjet e tyre të kenë një vend ku ta vendosin një lule”, tha ai.

Presidentja Osmani, gjatë takimit me Van der Bellen, tha se diskutoi për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës në rrugën evropiane, procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare si dhe konkretizimin e bashkëpunimit për avancimin e Axhendës së Gjelbër.

Gjatë vizitës zyrtare në Austri, presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Geëessler me të cilët do të shqyrtohet mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore.

Presidentja Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e institucionalë.

Është parashikuar një takim me Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare, si dhe me Odën Ekonomike Austriake. Ndërkaq në Akademinë Diplomatike të Vjenës, presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën “Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storiet e Suksesit”.

Vizita e Osmanit në Austri vjen pas qëndrimit të saj në Turqi, ku mori pjesë në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) dhe në Forumin Diplomatik të Antalia.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.