Osmani: Konstatimet e KE-së për vettingun shqetësuese, ky proces është i domosdoshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka vlerësuar si shqetësuese konstatimet e raportimit të Komisionit Evropian për Kosovën, për vettingun, pasi që sipas raportit thuhet se ky proces do të duhej të ishte masa e fundit.

Presidentja Osmani në një konferencë për medie theksoi se kjo është e papranueshme, pasi sipas saj vettingu është i domosdoshëm dhe e vetmja mënyrë për t’i arritur synimet të cilat po i kërkon Bashkimi Evropian. Teksa inkurajon institucionet që ta vazhdojnë procesin e vettingut.

“Sa i përket vettingut Komisioni Evropian konstaton se rivlerësimi i pilotë dhe i menjëherë i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si presidente e vendit e nuk pajtohem fare me këtë konstatim. Në fakt mungesa e vettingut do ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi. Mos realizimi i vettingut nuk i kontribuon as përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për garantim të sundimit të ligjit e as të ardhmes evropiane të vendit tonë. Tutje në këtë raport, Komisioni Evropian konsideron se vetingu do duhej të ishte masë e fundit dhe e jashtëzakonshme pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues. Edhe ky konstatim është i gabuar dhe kontradiktor për shkak se mekanizmat ekzistues janë këto për vite të tëra dhe kanë rezultuar joefektiv. E vërteta është se nëpërmjet këtyre mekanizmave nuk është rritur profesionalizmi, integriteti dhe besimi qytetar në institucione të drejtësisë. Për këto BE vet ka kritikuar për vite të tëra. Prandaj, vettingu jo vetëm që është i rëndësishëm por i domosdoshëm”, tha ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se procesi i vettingut duhet të përshpejtohet e assesi të ndalet.

“Për dallim nga ajo që konstatohet në raportin e Bashkimit Evropian, ky proces do jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Për vite me radhë raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë konstatuar ngecjet në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e mekanizmave adekuat për trajtimin e tyre, si rrjedhojë është më se e qartë se vetëm mekanizmat ekzistues nuk do ketë mundësi realizohen reformat e dëshiruara në sistemin tonë të drejtësisë. Ky proces do jetë mekanizëm për të nxjerrë ën pah prokurorët, gjyqtarët që kanë integritet dhe janë profesional… Vettingu do zhvillohet në përputhje me standardet e vendit tonë për të garantuar sundim të rendit dhe ligjit, duke marrë reforma të thella në drejtësi dhe duke siguruar pavarësinë e këtij sistemi nga ndërhyrjet qoftë të natyrës politike, qoftë të asaj kriminale. Si presidente e vendit, jo vetëm që kërkoj që ky proces të vazhdojë e të mos ndalet, por edhe të përshpejtohet si një domosdoshmëri. I inkurajoj të gjitha institucionet përgjegjëse që të vazhdojnë këtë punë me prioritet e në bashkëpunim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtar”, theksoi ajo.


Sa  përket luftimit të krimit e korrupsionit dhe në komunat veriore, Osmani tha se nuk ka kompromis, derisa ka thënë se presin përkrahje të plotë nga BE-ja jo kundërshti.

“Komisioni Evropian konfirmon se situata në veri të vendit është sfiduese sa i përket korrupsionit, sundimit të ligjit e lirisë së shprehjes. Kjo situatë sipas Komisionit paraqet sfidë për agjencitë ligj zbatuese në Kosovë. Dhe po ashtu KE në këtë raport kërkon nga Kosova, citoj “duhet të merren masa shtesë për të luftuar pikë kalimet ilegale të kufirit dhe aktivitetet kriminale të ndërlidhura, përfshirë korrupsionin veçanërisht në kufirin me Serbinë”. Ne kërkojmë nga të gjithë zyrtarët e BE-së t’i qëndrojnë besnikë këtyre deklaratave ashtu që sa herë institucionet e Kosovës të luftojnë krimin e korrupsionin, kontrabandën në çdo cep, përfshirë edhe ne veri, ta kemi përkrahjen e tyre dhe jo kundërshtimin e tyre. Qëndrimi im është qartë në lidhje me këtë, është tashmë i qartë në luftë me krimin e organizuar dhe korrupsionin nuk ka kompromis në asnjë pjesë të Republikës sonë”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani ka komentuar edhe të gjeturën tjetër në këtë raport, sa i përket shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Ky vendim sipas saj wshtw i pakthyeshëm.

“Legjislacioni në fuqi, parasheh se presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar kryesuesen e KQZ-së sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Pra, presidentja është autoriteti emërues, presidentja është autoriteti shkarkues dhe po ashtu ai që bën vlerësimin e integritetit. Ky vendim ka qenë në përputhje të plotë me ligjin dhe me Kushtetutën. Mua nuk do të mund të më zmbraps askush me kërcënime për dërgim në Gjykatën Kushtetuese”, tha Osmani.

Lexo edhe

Video

error: