Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë ka bërë thirrje për forcimin të koordinimit dhe bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.
Osmani nga foltorja e Kuvendit të Kosovës po ashtu kërkoi nga Kosova dhe Shqipëria që ta ngritin zërin për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc.
“Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithë liderëve, institucioneve dhe gjithsecilit qytetar. Secili prej nesh duhet ta luaj rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tanë brenda familjes së kombeve evropiane. Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e rrënjosur në histori në sakrifica të panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur që po ndërtohet dita-ditës”, tha ajo.
Presidentja Osmani duke shprehur angazhimin e Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian, uroi Shqipërinë për suksesin e saj në negociatat me BE-në.Nga Kuvendi i Kosovës, presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje që të ngritët zëri për padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Derisa për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut për ligjin për gjuhët ajo tha se nuk duhet qëndruar të heshtur e as sy mbyllur para këtyre tendencave të qarta.