Osmani: Ish-ministrat e Millosheviqit po e udhëheqin sot Serbinë

Presidentja Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka kërkuar që Serbia të kuptojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur dhe se një e gjë e tillë nuk ka kthim prapa.

Ajo ka folur për mandatin e UNMIK-ut, dialogun me Serbinë dhe qasjen e kësaj të fundit lidhur me gjenocidin e kryer në Kosovë.

Pasi shefi i UNMIK-ut në Kosovë, gjatë raportimit në këtë mbledhje, e bëri përgjegjëse Kosovën lidhur me tensionet e krijuara në veri të vendit pas vendosjes së reciprocitetit për targat e edhe për operacionet e policisë në luftim të kontrabandës, presidentja Osmani bëri të qartë që institucionet e Kosovës i kanë vënë në dijeni NATO-n, KFOR-in e ambasadat e QUINT-it lidhur me ato veprime.

Madje, Osmani ka bërë thirrje që buxheti i destinuar për UNMIK-un të përdoret për diçka më të mirë duke theksuar se mandati i këtij në Kosovë tashmë është në kontradiktë me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Pasi shefi i UNMIK-ut në Kosovë, gjatë raportimit në këtë mbledhje, e bëri përgjegjëse Kosovën lidhur me tensionet e krijuara në veri të vendit pas vendosjes së reciprocitetit për targat e edhe për operacionet e policisë në luftim të kontrabandës, presidentja Vjosa Osmani bëri të qartë që institucionet e Kosovës i kanë vënë në dijeni NATO-n, KFOR-in e ambasadat e QUINT-it lidhur me ato veprime.

Madje, Osmani ka bërë thirrje që buxheti i destinuar për UNMIK-un të përdoret për diçka më të mirë duke theksuar se mandati i këtij në Kosovë tashmë është në kontradiktë me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Republika e Kosovës sot është vend i lirë, sovran, i pavarur dhe gjithnjë e më prosperues. Kjo duhet të shërbejë si dëshmi e mjaftueshme për ta bërë të qartë për të gjithë, se jo vetëm që UNMIK-u e ka tejkaluar mandatin e tij, por është gjithashtu në kundërshtim me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ndërkohë që i falënderojmë për punën e tyre në të kaluarën, ju inkurajojmë juve anëtarë të Këshillit të sigurimit, që ta përdorni buxhetin tuaj për çështje më të rëndësishme. Dhe gjatë përdorimit të këtij buxheti, i ftoj që të jenë të paanshëm dhe të mos dërgojnë mesazh të shtrembëruar për atë se çfarë ka ndodhur në veri të Kosovës, duke treguar njëanshmëri të paprecedent që vetëm sa i kontribuon tensionit në rajonin tonë. Për ironi, Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, edhe pse është kampion i paqes dhe sigurisë në botë”, tha Osmani.

Në përgjigje për kritikat drejtuar Kosovës lidhur me tensionet në veri të vendit, Osmani ka theksuar se për këtë janë njoftuar aleatët duke përmendur këtu edhe mbështetjen për Kosovën nga SHBA, Britanisë së Madhe e Gjermanisë, pas ngjarjeve në veri ku Policia e Kosovës ndërmori një operacion për luftimin e kontrabandës.

“Më lejoni t’ju informoj mbi realitetin e kësaj përpjekjeje në sundim të ligjit. Prokurori dhe gjyqtari të cilët kanë bërë hetimin për këtë krim të organizuar, të dy kanë qenë serbë dhe shumica prej zyrtarëve policorë në veri, përderisa, tetë qytetarë të Kosovës janë arrestuar, gjashtë nga ata ishin shqiptarë të Kosovës, një boshnjak, dhe vetëm një serb. NATO, KFOR-i dhe ambasada të QUINT-it kanë qenë në dijeni që ky ka qenë veprim ligjor ndaj krimit të organizuar në të gjithë Kosovën. Më lejoni ta qartësoj se cili është qëndrimi publik i KFOR-it, sipas KFOR-it, operacionet kanë qenë në disa komuna, duke përfshirë edhe ato në veri, dhe Policia e Kosovës ka pasur autoritetin dhe përgjegjësinë e plotë në ekzekutimin veprimeve për sundimin e ligjit, dhe kur ata e bëjnë këtë, ata nuk kanë nevojë për leje shtesë”, ka thënë Osmani.


Presidentja ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar në Kosovë nuk ka etni. Ndërsa lidhur me dialogun me Serbinë, presidentja e Kosovës ka thënë se Kosova përveç që do të ulet në tavolinën e bisedimeve, do të angazhohet në këtë dialog me qëllim të njohjes reciproke.

“Kosova jo vetëm që do të ulet në tavolinë, por në mënyrë aktive do të angazhohet në dialog, ku qëllimi është njohja reciproke. Ky dialog nuk do ta shpëtojë karrierën personale të asnjë politikani në Serbi të përfshirë në proces. Nuk ka të bëj me aventura të rrezikshme që i takojnë shekullit 19. Nuk është dhe asnjëherë nuk do të jetë siç homologët duan, për statusin në Kosovë, i cili është zgjidhur njëherë e përgjithmonë më 2008 me mbështetjen e shumicës prej juve. Dialogu është në mes të dy palëve të barabarta dhe palët duhet të trajtohen si të tilla. Por më e rëndësishmja është që ky dialog është për popujt e dy shteteve, për përmirësimin e jetës së tyre, prosperitet dhe krijimin e sigurisë për ta…Serbia duhet të inkurajohet që të vijë mendje hapur në tavolinën dhe me idetë që do ta çojnë rajonin përpara. Duhet të mirëkuptoj që realiteti i një Kosove të pavarur asnjëherë nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të jemi forcë pozitive dhe palë konstruktive brenda dialogut, dhe të prezantojmë interesin e vendit tonë në mënyrën më të mirë, duke kërkuar drejtësi për zhdukurit me dhunë gjatë luftës”, tha Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë që Serbia është ajo që nuk i ka respektuar marrëveshjet e Brukselit derisa ka theksuar që Kosova i ka respektuar 90% të tyre.

“Kosova ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve, 90% sipas Brukselit, dhe kur flisni për krijimin asociacionit një-etnik, siç është specifikuar në marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, kjo është dërguar për aprovim në Gjykatën tonë Kushtetuese, mirëpo kjo gjykatë ka marrë vendim se marrëveshja ka është në kundërshtim të qartë me kushtetutën tonë. Një kushtetutë që është themeluar mbi idenë e promovimit dhe përqafimit e promovimit të multietnicitetit dhe nuk mund të qëndrojë pas një marrëveshje që e bënë të kundërtën e kësaj. Sipas vetë BE-së, që është garantues dhe ndërmjetësues i këtij dialogu, Serbia nuk e ka zbatuar dy të tretën e marrëveshjeve të nënshkruara, kështu që ju lutem, Selakoviq mos na mbani ligjërata për moszbatimin, sepse kjo nuk është hera e parë që Serbia po i injoron obligimet e saja ligjore”, ka thënë Osmani.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, presidentja Osmani ka thënë se ish-ministrat e Millosheviqit po qeverisin në Serbi dhe kanë qëllimet e njëjta vetëm strategjinë e kanë ndryshuar.

“Në Kosovë më shumë se 30 mijë persona janë vrarë brutalisht. 20 mijë gra janë dhunuar, dhe më shumë se 1600 mijë persona janë ende të zhdukur me forcë, dhe ata gjenden në varrezat masive në Serbi. Më shumë se 1 milionë qytetarë shqiptarë janë zhvendosur nga shtëpitë tyre, çka ka ndodhur në Kosovë dhe rajonin ka ndodhur përpara syve tuaj, syve të botës, nuk ka pasur asnjë përpjekje nga Serbia që t’i mohojë këto krime. Të nderuar, bota asnjëherë nuk harron, nuk duhet të jetë vetëm slogan, asnjëherë nuk duhet të harrojmë fytyrën dhe qëllimin e vërtet të regjimit serb, fatkeqësisht ministrat e Millosheviqit po e udhëheqin vendin sot, strategjia e tyre ndoshta ka ndryshuar por qëllimet e tyre janë të njëjtë, të mbështetura nga propaganda si atë që i dëgjuat sot”, ka thënë presidentja Osmani.

Ajo ka theksuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe ka përmendur aty sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ajo ka përmendur sukseset e xhudistëve kosovarë në Lojërat Olimpike në Tokio, filmin “Zgjoi”, Vasfije Kransiqin e Saranda Bogujevcin.

“Sot shteti ynë një reprezentim i sinqertë i një kombi paqedashës dhe që eksporton paqe. Ushtarët tanë shërbejnë përkrahë trupave të SHBA-së në misione paqeruajtëse, dhe ushtarët tanë janë duke treguar profesionalizëm të pashembullt. Në mes të njërës ndër krizat më të mëdha në histori, njerëzit tonë dhe institucionet tona kanë hapur zemrat dhe mendjet e tyre për qytetarët e Afganistanit që kërkuan strehim. Ky nuk është vetëm reflektim i asaj që jemi si popull, por është një konfirmim i gatishmërisë sonë të qëndrojmë krah aleatëve tanë dhe të kontribuojmë te komuniteti ndërkombëtar. Si ish-refugjatë, nuk e kupton askush më mirë vuajtjen e tyre sesa qytetarët e Kosovës. Ka shumë për të treguar por tani kërkoj nga ju të mbani mendjen dhe zemrën tuaj të hapur për popullin e Kosovës, ne do ta bëjmë punën tjetër. Ju siguroj që shteti më i ri në Evropë, jo vetëm që do t’i tejkalojë pritjet tuaja dhe të vazhdojë të fuqizojë shtetësinë, ne do të vazhdojmë t’i bëjmë aleatët tanë krenarë”, tha Osmani.

Lexo edhe

Video

error: