Osmani e quan të rrezikshme iniciativën “Ballkani i Hapur”, paralajmëron aplikimet në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e “Ballkanit të Hapur” në rajonin ballkanik. E para e shtetit, gjatë qëndrimit në Gjermani, duke diskutuar për të ardhmen e Kosovës në Rrjetin për Politikë të Jashtme (DGAP) paralajmëroi edhe aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Derisa tha se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë, por nuk pranojnë të diskutojnë për integritetin territorial, statusin e Kosovës dhe nivelin e tretë qeverisës, siç është asociacioni i komunave serbe në Kosovë. 

Presidentja Osmani tha se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” po përpiqet ta zëvendësojë Procesin e Berlinit, kjo, sipas saj e vonon integrimin evropian dhe nuk duhet të ndodh.

“Sa i përket iniciativës ‘Ballkani i Hapur’, besojmë se ajo, jo vetëm që është një iniciativë e rrezikshme, por njëkohësisht synon vonimin e procesit të integrimit evropian të shteteve të regjionit. Si nga pikëpamja e sigurisë, si nga pikëpamja politike, ekonomike, apo nga pikëpamja e integrimeve evropiane, është absolutisht gjë e gabuar për regjionin, për këtë edhe Kosova, Mali i Zi, dhe Bosnja e Hercegovina kanë refuzuar këtë iniciativë që nga fillimi. Kjo iniciativë, nëse mund ta quajë kështu, sepse nuk e dimë saktësisht çfarë është, ngase nuk ka pasur ndonjë dokument që u është dorëzuar vendeve të regjionit, njëkohësisht, nuk është gjithëpërfshirëse, e parimi i gjithëpërfshirës është parimi themelor[…]Kjo iniciativë e cila ka fillu në Novi Sad të Serbisë, asnjëherë nuk ka pasur për qëllim ta trajtoj Kosovën të barabartë me vendet e tjera të regjionit, dhe njëkohësisht, Serbia vazhdon ta mohojë të drejtën tonë për të ekzistuar…Ballkani i hapur është i rrezikshëm, i vonon integrimet evropiane, dhe synon të zëvendësojë procesin e Berlinit, gjë që është e pamundur, dhe ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, tha Osmani.

Nga Gjermania, presidentja Osmani i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ndërkohë, kritikoi palën serbe për mos hapjen e arkivave dhe gjetjet e lokacioneve për varrezat masive për të pagjeturit.

“Ne nuk do të pranojmë të negociojmë për integritetin territorial të Kosovës, ne nuk do të ndryshojmë kushtetutën për të krijuar nivele të treta të qeverisë, për ta bërë një tjetër Republika Serbska për ta destabilizuar rajonin. Po ashtu, nuk do të negociojmë statusin e Kosovës pasi është mbyllur njëherë e përgjithmonë në deklaratën e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe ri konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë[…]Është vetëm një zgjidhje e vetme që do të sillte paqe dhe stabilitet në Ballkan, dhe ajo është që Serbia të pranojë realitetin për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Deri atëherë, Serbia do të jetë vendi problematik në Ballkan, destabiliizuesi, dhe trampolina që të sjell ndikim keqdashës rus, si dhe atë kinez në rajon”, shtoi ajo.

E pyetur për marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, Osmani tha se është pikërisht presidenti serb, Alekasndër Vuçiq që po insiston në themelimin e institucioneve mono-etnike sic është asociacioni, për siç tha pretendimeve të tij territoriale në Kosovë.


“Institucionet mono-etnike sikur ai që është ndërtuar në dokumentet e vitit 2015 nuk është në interes të serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk kam takuar asnjëherë asnjë serb që ka kërkuar formimin e asociacionit të komunave serbe, Vuçiq e bënë këtë shkaku i pretendimeve territoriale”

Duke folur për marrëveshjen e Uashingtonit, Osmani tha se disa pjesë të saj veçse kanë qenë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe kanë gjetur zbatim në vend, por problemi ka qenë në pikën për moratoriumin dhe Liqenin e Ujmanit.

Sipas saj, pas përfundimit të moratoriumit për aplikime në organizata ndërkombëtare, Kosova po përgatitet të jetë gati në bashkëpunim të plotë më aleatët ndërkombëtar për të dorëzuar aplikacionet në organizatat multilaterale.

“Moratoriumi ka mbaruar tani dhe po punojmë së bashku me partnerët tanë amerikanë sa i përket agjendës sonë për njohje dhe ofertave të organizatave ndërkombëtare. Më lejoni të jemi e qartë, nuk mendoj që mund të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare nëse nuk koordinohemi me aleatët tanë[…]Nuk do të shkojmë në krye veti pasi nuk dëshirojmë të dështojmë. Do të bëjmë një plan, do të aplikojmë kur të jemi gati bashkë me ShBA dhe BE partnerët, pasi dëshirojmë të kemi sukses, pasi nuk është në interes vetëm tonin, por edhe rajonit që të na kenë neve në këto organizata ndërkombëtare”, tha ajo.

Pjesë e panelit me presidenten Osmani ishte edhe diplomati gjerman dhe ish ambasadori, Ëolfgang Ischinger, i cili tha se Bashkimi Evropian dhe Qeveria e ardhshme Gjermane duhet t’ia përcjellin vazhdimisht mesazhin Serbisë se nuk mund të bëhet pjesë e BE-së përderisa nuk e njeh Kosovën.

“Unë e di që ai (Vuçiq)e di se vendi i tij nuk do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian përderisa nuk e zgjidh çështjen e Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën, ai e di shumë mirë këtë. Nganjëherë lëvdatat publike dhe ofrimi i një shteti janë pjesë e përpjekjeve diplomatike, ngase prisni që prapa dyerve të mbyllura, ai shtet të bëjë më shumë, kjo është pjesë e artit të diplomacisë.  Paraqitja publike nuk duhet të na hutojë sa i përket mesazhit të fortë  që Presidenti Vuçiq dhe qeveria e Serbisë duhet ta dëgjojnë vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe qeveria gjermane. Kam shpresë se qeveria e ardhshme gjermane do ta përcjellë qartë këtë mesazh”, theksoi ai.

Presidentja Osmani që nga dje është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u prit me ceremoni solemne edhe nga presidenti gjerman, Frank Walter Steinmeier.

Lexo edhe

Video