Osmani e Kurti i urojnë suksese ekipit olimpik të Kosovës para nisjes drejtë Tokios

Osmani e Kurti i urojnë suksese ekipit olimpik të Kosovës para nisjes drejtë Tokios

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në një ceremoni të veçantë ia ka dorëzuar flamurin shtetëror të ekipit olimpik të Kosovës që do ta përfaqësojë vendin në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin shumë personalitete të larta nga institucionet shtetërore si deputet, ministra e zëvendësministra, përfaqësues të ambasadave të huaja si dhe personalitet nga jeta kulturore e fetare në Kosovë.

Me këtë rast,  presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës tha se Kosova si shtet i ri shumë shpejtë u bë pikë referimi në të gjithë botën duke iu falenderuar xhudistët Majlinda Kelmendi e cila e fitoi medaljen e Artë në Lojërat Olimpike Rio 2016.

Sipas Krasniqit, kjo nuk ishte diçka e rastësishme sepse një punë e jashtëzakonshme në këtë drejtim u bë nga trajneri ndërkombëtar i xhudos, Driton Kuka.

“Faleminderit Majlinda që na e hape rrugën, na bëre të ndihemi krenar që jemi shtet dhe që kemi medalje ari për të cilën mbi 100 shtete të botës ende e ëndërrojnë një medalje të tillë përkundër historisë dhe popullsisë dhjetëfish më të madhe se ne. Pesë vite më pas gjërat kanë ndryshuar, mirëpo kanë ndryshuar pozitivisht sepse ekipi ynë është rritur nga tetë sa kishim në Rio, tani i kemi 11 sportistë nga sporte të ndryshme në Tokio 2020. Nga dy norma olimpike të cilat i kemi pasur, i kemi gjashtë norma olimpike  e që rrjedhimisht na shtyjnë të besojmë se të gjithë këta janë potencial për medalje”, tha Krasniqi.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani tha se Lojërat Olimpike për ta shpalosur shpirtin fitues dhe për ta shpalosur përkushtimin e sportistëve ndaj vendit.

Osmani u shpreh e bindur se sportistët të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të japin maksimumin atje dhe do të bëjnë krenar shtetin e tyre

Ajo shtoi se Kosova pret shumë nga 11 garuesit sepse puna që është bërë nga ana e tyre do të jap rezultatet e veta.

“Lojërat Olimpike janë mundësi për të shpalosur shpirtin garues e dëshirën për të fituar por ato janë edhe një mundësi për ta shpalosur përkushtimin tuaj ndaj vlerave të popullit të cilin ju e përfaqësoni në këto gara. Pjesëmarrja jua për herë të dytë për shtetin e ri të Kosovës nënkupton edhe ripërtërirje të krenarisë me të cilën ne morëm pjesë ne Rio dhe me të cilin Majlinda e ngriti flamurin e vendit të saj në piedestalin më të lartë. Krenaria që kemi ndjerë gjithsecili kur në podium u ngjit Majlinda është e papërshkrueshme me fjalë. Ajo na mban ende edhe sot e kësaj dite bashkë me shpresën se rishtazi ajo do të bëjë që himni i Kosovës të jehojë gjithandej. Po kështu ne kemi bindjen se edhe të tjerë sportistë kulmor tanë, pjesëmarrës në këto Lojëra Olimpike do ta ngrisin lartë emrin e Kosovës dhe do t’ia shtojnë nderin mes qindra kombesh të tjera. “, tha Osmani.

E para e vendit shtoi se Kosova ndihet krenare me përkushtimin e këmbënguljen e sportistëve.


“Ne, qytetarët e këtij vendi jemi të mahnitur me këmbënguljen tuaj dhe po ashtu ndihemi krenar me sukseset tuaja, prandaj sonte ua shprehim admirimin tonë për punën dhe vullnetin e pashoq dhe iu ftojmë që në Tokio të tregoni përkushtimin e profesionalizmin me të cilin jeni rritur si sportist e të ktheheni faqebardhë duke e bërë vendin tuaj të shkëlqejë edhe në Tokio. Por jam e bindur se kjo nuk do të mbetet vetëm dëshirë, më shumë se kaq është shpresa që buron nga rezultatet që ju i keni treguar.”, th Osmani.

Osmani po ashtu ua bëri të qartë 11 atletëve se pritjet nga ta janë të mëdha në vendin tonë dhe se kjo vjen si fryt i rezultateve të arritura deri më tani.

“Prandaj pritjet tona janë reale sepse keni dëshmuar se dëshironi të fitoni për Kosovën tuaj e tonën, keni punuar fort për këto qëllime dhe sot ju jeni pjesë e këtyre lojërave.”, tha Osmani.

Ndërsa, Kryeministri Kurti i tha ekipit të Kosovës se përgjegjësia që mbajnë me vete në Tokio është shumë e madhe, sepse do të përballen me shtete qindra herë më të mëdha se Kosova dhe traditë shumë më të gjatë në sport.

Ai u tha sportistëve se rezultatet e deritanishme na bëjnë të gjithëve krenarë dhe përkundër që do të jetë vetëm pjesëmarrja jonë e dytë në një Olimpiadë, na e keni mundësuar që të besojmë edhe më shumë në performancat tuaja.

“Nuk është vetëm aftësia apo talenti juaj në sport që duhet të na inspirojë të gjithëve – është angazhimi dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm, përpjekjet që ju i bëni ditë për ditë për të ngadhënjyer. Sot, do të pranoni flamurin e shtetit me të cilin do të përfaqësoni Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Rezultatet që i keni arritur deri tani, na bëjnë krenar secilin prej nesh, dhe përkundër që po shënojmë vetëm pjesëmarrjen e dytë në Olimpiadë, na keni mundësuar të besojmë edhe më shumë në performancat tuaja.”, tha Kurti.

Kurti u premtoi mbështetje të madhe sportistëve në Lojërat Olimpike duke thënë se e gjithë Kosova do të jetë prapa tyre.

“Ndonëse nuk do të jem i pranishëm në Tokio për t’ju përkrahur nga afër, më lejoni që në emër të çdo qytetari të Kosovës t’ju falënderohem për mundin që e keni bërë dhe kontributin që e keni dhënë. Dhe të ju them se e gjitha Kosova do të jetë mbrapa juve, duke ju përcjellur nëpërmjet televizionit dhe duke ju përkrahur nga larg, por me zemër.”, tha në fund Kurti.

Në fund, para të pranishmëve foli edhe fituesja e medaljes së Artë në vitin 2016 në Rio Majlinda Kelmendi e cila tha se është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe që ajo e pranon për herë të dytë flamurin e shtetit dhe premtoi se do ta përfaqësojnë Kosovën në Tokio në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe për mua që për herë të dytë ta pranojë flamurin dhe të jem flamurtare e shtetit tonë Kosovës në Lojëra Olimpike mirëpo kësaj radhe si kampione aktuale olimpike. Unë si kapitene e ekipit po besoj edhe po shpresojë shumë që prapë do ta përfaqësojmë shtetin në mënyrën më të mirë të mundshme me dinjitetin më të madh edhe po besoj shumë që nuk do t’iu zhgënjejmë në krye me trajnerin tonë Driton Kuka edhe me të gjithë sportistë tjerë. Përkrahja j8ua për të gjithë ne do të thotë shumë edhe fatmirësisht sonte sidomos, unë për vete gjithmonë e ndjej që e kam përkrahjen e njerëzve mirëpo sonte e kam ndjerë që edhe të gjithë sportistët tjerë e kanë ndjerë këtë.”, tha Kelmendi.

Kosova do të përfaqësohet me 11 sportistë në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Lexo edhe

Video