Osmani: Do të sigurohemi që gratë jo vetëm të jenë të përfshira në dialog, por edhe të konsultohen vazhdimisht

Osmani: Do të sigurohemi që gratë jo vetëm të jenë të përfshira në dialog, por edhe të konsultohen vazhdimisht

Në dialogun Kosovë-Serbi është e domosdoshme që të ketë përfshirje më të madhe të grave. Kështu u tha në lansimin e raportit “Një ulëse në tryezë”. Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto procese”, raport i realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe UN Women.

Në lansimin e këtij raporti, një adresim përmes një videomincizimi ka folur edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani. Ajo tha se kontributi i grave në proceset vendimtare të ndërtimit të shtetit është i jashtëzakonshëm dhe se roli i tyre nuk mundet kurrsesi të mohohet. Ajo tha se gratë dhe vajzat ishin aty kur luftohej për liri, kur është vulosur pavarësia dhe se janë pjesë e rrugëtimit të shtetndërtimit, por që tha se shpesh herë ato nuk janë dëgjuar sa duhet në procesin e ndërtimit të paqes.

Osmani tha se një prej proceseve më vendimtare që ka kontribuar në këtë drejtim siç është dialogu Kosovë-Serbi nuk i ka para gratë aty sa duhet. Arsyet tha se janë të shumta, por që tha se padyshim që aspekti kulturor dhe dominimi patriarkalizmit në shoqëri kanë ndikim të madh duke reflektuar edhe në politikëbërje.

E para e shtetit tha se pjesëmarrja e grave në këtë proces gjerë më tani ka qenë tejet i vakët, por që tha se një gjë e tillë do të ndryshojë. Ajo tha se përveç që do të sigurohen që të jenë të përfshira gratë, të njëjtat do të konsultohen vazhdimisht. 

“Ne sot kemi një realitet të ri, në krye të vendit dhe të politikës së jashtme, si dhe në krye të ministrisë së Punëve të Jashtme, janë pikërisht gratë dhe në këto momente me plot përgjegjësi ju them që bazuar në parimet tona, por edhe në përputhje me këtë rezolutë dhe me vet vizionin e institucioneve të reja do të sigurohemi që gratë jo vetëm të jenë të përfshira në dialog, por edhe të konsultohen vazhdimisht, e kjo të bëhet jo vetëm në nivel politik por edhe me vet qytetarët. Pra, gratë vërtetë e kanë vendin në tryezat vendimmarrëse dhe ky nuk është vetëm një vendim i duhur, por është edhe vendim më i mençur. E kur flasim për kontribut nuk mund të mos diskutojmë edhe për pritshmëritë e vajzave dhe grave në këtë vend, që ato të jenë të përfaqësuara dhe kërkesat e tyre të dëgjohen e të parashtrohen në bisedime”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se nuk do të ketë dialog të suksesshëm derisa aty të mos dëgjohet zëri i nënave të personave të zhdukur, i nënave të fëmijëve të vrarë dhe i grave që janë të mbijetuara të dhunës seksuale.

Ajo tha se artikulimin e kërkesave të grave dhe vajzave mund ta bëjnë më së miri vet ato.

“Nuk do të ketë dialog të suksesshëm derisa aty të mos dëgjohet zëri i nënave të personave të zhdukur, i nënave të fëmijëve të vrarë, i grave të cilat janë të mbijetuara të dhunës seksuale, zëri i secilës vajzë e grua që e përjetojë tmerrin e regjimit serb. E për të gjitha këto jo se nuk dinë burrat ta bëjnë, por nganjëherë nuk mjafton vetëm të dish, nganjëherë duhet edhe më shumë. Dhimbjen dhe artikulimin e kërkesave të grave dhe vajzave mund ta bëjnë më së miri ato vet. Qasja në drejtësi përtej dënimit të autorëve të krimit e që fatkeqësisht ende as kjo nuk ka ndodhur duhet të nënkuptojë edhe ndikim të drejtpërdrejtë në adresimin e pabarazive, zbutjen e varfërisë, fuqizimin afatgjatë të grave në përfaqësimin e denjë të tyre në çdo fushë. Kjo përfundimisht nënkupton edhe pjesëmarrjen e grave në ndërtimin e paqes, ruajtjen e paqes dhe shtimin e saj. Angazhimi në procese të ndërtimit të paqes siç është edhe dialogu ndihmojnë për të siguruar që marrëveshjet finale në vend ta përforcojnë po ashtu barazinë dhe po ashtu të ndihmojnë në fuqizimin e grave dhe garantimin e drejtësisë”, tha ajo.


Osmani tha se fatmirësisht prezenca e grave në institucionet e Kosovës tani është më e mirë se kurrë, por që tha se tani është koha që të shkojnë përtej numrave në vepra të mira. Në këtë drejtim, ajo u zotua se do të punojë me të gjitha organizatat për të garantuar që zëri i grave të jetë i dëgjuar.

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, tha se përmes këtij raporti kanë dashur të dokumentojnë rolin që kanë pasur organizatat e grave në proceset e ndërtimit të paqes.

Ajo tha se natyrisht që kërkojë në shumë se një ulëse, por që tha se një ulëse duhet për fillim që pastaj ai duhet të dyfishohet e trefishohet.

Përfshirja e grave në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ajo tha se është shumë e rëndësishme.

“Për 10 vjet ne kemi pasur dy presidente gra dhe për mua është shumë më rëndësi që në këtë proces në përfundim të dialogut të kemi në krye të institucioneve një grua. Pra, një grua shumë të votuar, e cila aty ka mbërritur me veprat e saj”, tha ajo.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ulrika Richardson, tha se ri vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të përfshije më shumë gratë.

“Pjesëmarrja e grave në çfarë do procesi të vendimmarrjes do ta bëjë procesin e vendimmarrjes shumë më të qëndrueshëm dhe shumë më gjithëpërfshirës në aspektin e përfshirjes së tërë shoqërisë… E dimë se ka një dialog që do të rivazhdojë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ky dialog duhet të përfshijë gratë dhe mendoj se kjo është vendosur qartazi në tavolinë. Kur flasim për procese që kanë të bëjnë me ndërtimin e besimit dhe konfidencës gjatë zgjedhjes së problemeve dhe parandalimit të konflikteve, këto duhet të ndodhin jo vetëm në tavolinat qendrore por duhet të ndodhin në të gjitha nivelet në mënyrë që kur të flasim për proceset e paqes dhe veçanërisht ruajtjes së paqes duhet të ndodhin në nivel të komunitetit, të familjes, deri në nivelin qendror, të gjitha këto nivele gratë duhet të përfshihen”, tha ajo.

Raporti “Një ulëse në tryezë: Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto procese”, shqyrton rolet, kontributet dhe nevojat e grave, veçanërisht vajzave, në lidhje me paqen dhe proceset e sigurisë në Kosovë që nga viti 1989. Vëmendje e veçantë i kushtohet rolit të organizatave për të drejtat e grave në proceset e ndërtimit të paqes. Gjithashtu, ky raport përmban rekomandime për avancimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë, posaçërisht në kontekstin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  

Ndër rekomandimet që janë prezantuar në këtë raport janë që të sigurohet pjesëmarrje barabartë e grave në procese të paqes, në përputhje me ligjin, të rritet përfaqësimi i grave në të gjitha pozitat e emëruara dhe të përzgjedhura të vendimmarrjes, në nivelin qendror dhe lokal, të organizohen takime me vajza të grupeve të ndryshme etnike në mënyrë që të nevojat e tyre të identifikohen dhe të adresohen dhe fokusi i qeverisë të përqendrohet në siguri njerëzore, duke investuar më shumë në edukim kualitativ, shëndetësi, fuqizim ekonomik të grave dhe siguri të grave në shtëpitë e tyre, në rrugë dhe institucione.

Lexo edhe

Video