Osmani dekoroi shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”
Lajme
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Shkrimtari Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Hasan Prishtina”, nga presidentja Vjosa Osmani. Kadare është falënderuar për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës së shprehur përmes veprave të tij.

Dekorimi i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar është bërë në Presidencën e Kosovës, në ditët kur në Prishtinë po mbahet edicioni i 23-të i Panairit të Librit.

Duke folur për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, presidentja Osmani ka thënë se vepra e tij është një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve dhe historisë së tyre.

“Për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës të shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat e ka lartësuar gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe, si dhe vet popullin shqiptar”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se krijimtaria e tij ka dëshmuar se liria e mendimit nuk mund të kontrollohet nga pushtetet.

Ndërsa, shkrimtari Ismail Kadare ka thënë se ky urdhër nënkupton nderim të madh për të.

“Jam shumë i prekur të jem midis jush për këtë nderim kaq të madh, çdo njëri, çdo shqiptar do ta ëndërronte një gjë të tillë. Është një fat i rrallë që një popull të të nderojë dhe të të quaj bashkëmbrojtës të të drejtave të tij, të lirive të tij, sidomos kur ky popull e ka rrugën e historisë të vështirë", ka thënë Kadare.

Ismail Kadare ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 23-të të Panarit të Librit në Prishtinë.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ai është pritur në takim edhe nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024