Osmani: Ballkani i Hapur shfaq ekspansion të hegjemonisë serbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të reagojë ndaj retorikës destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Ajo e ka akuzuar shtetin fqinj se nuk është e interesuar të arrijë marrëveshje finale me njohje reciproke me Kosovën, derisa nënvizoi se Asociacion me kompetenca ekzekutive nuk do të ketë në Kosovë. E para e shtetit, gjithashtu tha se Ballkani i Hapur është iniciativë vetëm për të shfaqur ekspansion të hegjemonisë serbe.

Në një konferencë për medie, pas takimit me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, Osmani kritikoi edhe BE-në për mosliberalizmin e vizave për Kosovën.

“Republika e Kosovës gjithnjë ka qenë pala konstruktive në këtë proces, por përshtypja jonë është që Serbia nuk është e interesuar të arrijë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën. Në këtë proces po e përsëris, ashtu siç është përmendur edhe nga presidenti Biden edhe shumë miqtë tanë në botë, njohja reciproke është ajo që duhet të jetë në qendër të këtij procesi. Për fat të keq, fqinji jonë verior nuk e dëshiron një Ballkan Perëndimor stabil dhe në paqe, prandaj po përdorë retorik dhe veprime të ndryshme që po e destabilizojnë rajonin tonë. Për këtë shpresojmë që BE-ja do të jetë e qartë në raport me Serbinë dhe do  të kërkojë të ndërprenë edhe retorikën nxitëse, por edhe veprimet destabilizuese, jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me Malin e Zi, Bosnjës dhe shtetet tjera. Për fat të keq Serbia po vazhdon përmes strukturave ilegale në veri të vendit tonë të destabilizojë Kosovën, po ashtu rritja e ndikimit rus paraqet një kërcënim për destabilizim të mëtejmë të rajonit”, tha ajo.

Duke shprehur refuzimin për Asociacionin me shumicë serbe në Kosovë, Osmani tha se Serbia nuk zbatuar dy të tretën e marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën.

“Gjykata Kushtetuese e ka thënë qartë se është në mos përputhje me Kushtetutën dhe ka shkelje të Kushtetutës dhe Asociacioni nuk është i lejueshëm të ketë të drejta ekzekutive”, shtoi Osmani.


Lidhur me iniciativën rajonale të Ballkanit të Hapur, Osmani tha se Kosova është kundër, pasi ka shqetësime serioze për këtë nismë.

“Për ne Ballkani i Hapur është një hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe. Në këtë moment, Serbia që po tenton të luaj rolin kryesor në këtë iniciativë nuk ka qëllime të mira në raport me rajonin tonë. Do të ishte krejtësisht ndryshe, sikur Serbia të ishte shtet që ka paqen, stabilitetin si synim dhe sikur të kishte njohur Kosovën. Por, derisa synon që Kosova të hynë në iniciativa si provincë e saj gjë që nuk është sepse realiteti është ndryshe, natyrisht se një iniciativë e tillë nuk i shpërben interesave të vendit tonë dhe rajonit. Kjo iniciativë ka shkelur parimin themelor të iniciativave rajonale, i cili është parimi i gjithë përfshirjes. Kur është iniciuar ka qenë vetëm me dy shtete në fillim, e dyta është shkelur parimi i trajtimit të barabartë të gjitha shteteve. E treta kemi shqetësime se do të shndërrohej në një paradhomë pritje që do t’i jepte arsye skeptikëve brenda BE-së që të na lënë neve të merremi me njëri tjetrin në vend që të qartësohej perspektiva jonë evropiane. Shqetësime tjera kanë të bëjnë me aspekte të ekonomisë, sigurisë dhe të tjera”, deklaroi Osmani.

E para e shtetit para presidentin slloven, tha se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodh sa më parë.

Liberalizimi i vizave është vonuar dhe kjo e dëmton kredibilitetin e BE-së. Andaj ky liberalizim duhet të ndodh sa më parë dhe nuk ka arsye për hezitime. Për këtë gjë dua të falënderojë presidentin Pahor për mbështetjen e tij të fuqishme dhe natyrisht i kërkoj përkrahje të mëtejmë që të binden edhe pak ato shtete që kanë hezitime sa i përket këtij procesi”, tha ajo.

Osmani e vlerësoi edhe raportin mes Kosovës dhe Sllovenisë, derisa tha se marrëdhëniet bilaterale mes shteteve duhet të shtohen edhe në shumë sfera të tjera.

Lexo edhe

Video

error: