Osmani: Luajtja bixhoz me aleancat cenon mbrojtjen e vendit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 orë më parë
Linku u kopjua
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë adresimit vjetor para deputetëve të Kuvendit, ka folur për rëndësinë e ruajtjes së partneritetit me aleatë. Ajo ka thënë se dobësimi i aleancave është gabim strategjik derisa ka shtuar se “asnjëherë nuk i kam mirëkuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve”.
“Historia politike na mëson se dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik, të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazh. Besoj fuqishëm që forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetin tonë, aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikanë apo cilado palë zgjedhjesh. Ato janë gurë themel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jenë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtën e republikës sonë”, ka thënë Osmani.
Osmani ka shtuar se asnjëherë nuk i ka mirëkuptuar “talljet që bëhen në llogari të aleatëve”.
“Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore, do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatë sepse nuk mund të ja dalin të vetëm. Prandaj, asnjëherë nuk kam kuptuar e as mirëkuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet, asnjëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”, ka thënë Osmani.