Osmani: Anëtarësimi në Programin e Partneritetit për Paqe në përputhje me konceptin strategjik të NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana. Ajo vlerësoi lartë vizitën zyrtarit të lartë të NATO-s i cila nënvizoi përkushtimin e Aleancës për Kosovën, si dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani e ka uruar Geoanan për samitin e suksesshëm të NATO-s në Madrid, duke e vlerësuar unitetin transatlantik si vendimtar për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta të paqes, demokracisë dhe lirisë dhe për ta luftuar ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tonë.


Nga ana tjetër, zëvendëssekretari Geoana ka falënderuar presidenten Osmani për strehimin e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Kosovës për popullin e Ukrainës, përmes mbështetjes së gazetarëve, sanksioneve kundër Rusisë dhe gatishmërisë për t’i strehuar refugjatët ukrainas.

“Presidentja Osmani ritheksoi mirënjohjen e Kosovës për prezencën e vazhdueshme të NATO-s në Kosovë, si dhe për gatishmërinë për t’i mirëpritur vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë për anëtarësim në NATO, ashtu siç është konfirmuar në Konceptin Strategjik të NATO-s, të miratuar rishtazi. Ajo, po ashtu nënvizoi vullnetin e qartë të Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike me përfshirjen e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimin në NATO”, përfundon komunikata.

Lexo edhe

Video