Orlando uron Festën e Republikës: Italia dhe Kosova kanë forcuar miqësinë

Ambasadori italian në vendin tonë, Nicola Orlando, ka uruar me rastin e Festës së Republikës që Italia e shënon sot . Më 2 qershor 1946 përmes një referendumi italianët votuan për ta kthyer Italinë nga monarkia në Republikë. Çdo vit me këtë datë festohet dita e kombit.

Orlando thotë se Italia dhe Kosova kanë forcuar miqësinë historike dhe këtë vit po marrin frymë më lirshëm për shkak të lehtësimit të situatës me COVID, pavarësisht se pandemia nuk është mposhtur tërësisht.

“Në sektorin politik, ekonomik, kulturor dhe të inovacionit, ka shumë projekte të realizuara dhe të programuara përmes të cilave ne ndjekim vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe liberale. Që nga fillimi, Italia ka qenë përkrah Kosovës në përballjen me pandeminë dhe vazhdon të jetë, me një nga kontributet më bujare në programin Covax”, tha Orlando.

Mesazhi i tij i plotë:

Të dashur bashkatdhetarë në Kosovë,

As këtë vit nuk është e mundur të shkëmbejmë personalisht urimet për Festën e Republikës Italiane. Pandemia është ende me ne. Është dobësuar por akoma nuk është mundur plotësisht.

Megjithatë, fryma e këtij dy qershori është më ndryshe nga ajo e vitit të kaluar.

Në Itali, në Kosovë dhe në botë, kemi filluar rrugëtimin që gradualisht do të na kthejë në normalitet.

Shpresojmë në një normalitet më të qëndrueshëm dhe të vetëdijshëm, më të gatshëm për të përballuar së bashku sfidat e së nesërmes.

Siç thotë Presidenti i Republikës, kjo është koha për rinisje, për rimëkëmbje, koha për të menduar dhe planifikuar të ardhmen së bashku.


Lodhja nga shkëputja e zgjatur dhe frika, më në fund i lënë vend shpresës.

Edhe gjatë muajve të vështirë që kaluam, vendosmëria jonë nuk ka munguar kurrë.

Italia dhe Kosova kanë forcuar miqësinë historike që na lidhë.

Në sektorin politik, ekonomik, kulturor dhe të inovacionit, ka shumë projekte të realizuara dhe të programuara përmes të cilave ne ndjekim vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe liberale.

Që nga fillimi, Italia ka qenë përkrah Kosovës në përballjen me pandeminë dhe vazhdon të jetë, me një nga kontributet më bujare në programin Covax.

Me kontingjentin tonë ushtarak në Misionin e KFOR-it ne kontribuojmë në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë.

Ne i qëndrojmë përkrah Kosovës edhe duke inkurajuar programin ambicioz të reformave që do të sjellë këtë vend edhe më afër fatit të vet evropian dhe atlantik.

Do të nevojiten zgjedhje të guximshme: në zbatimin konkret të shtetit të së drejtës, në mbrojtjen e komuniteteve jo-shumicë dhe trashëgimisë kulturore dhe mbi të gjitha në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Siç ka thënë Ministri Di Maio, status quo-ja nuk i sjell dobi askujt, përkundrazi, ushqen tensione dhe pakënaqësi që reflektojnë negativisht në të gjithë rajonin.

Dhe në këtë frymë shprese e guximi, ju uroj të gjithëve Gëzuar Festën e Republikës, i sigurt që na presin ditë më të lumtura, në të cilat Italia dhe Kosova do të përparojnë drejt fatit të tyre të përbashkët, së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Rroftë Italia!

Lexo edhe

Video

error: