ORCA: Profesorët me pozita drejtuese paguhen më shumë se presidentja e vendit

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim-ORCA ka publikuar sot raportin “Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike të Kosovës”, në të cilin është theksuar se profesorët me pozita të larta drejtuese kanë të ardhura mujore më të larta sesa presidentja Vjosa Osmani.

Autorja e raportit, Liridona Ademaj, tha se stafi akademik i universiteteve publike në Kosovë vazhdon të ketë shtesa enorme në krahasim me pagën bazë, por që theksoi se në matjet e fundit këto shtesa kanë nisur të bien në disa prej universiteteve publike e në disa po vazhdojnë të rriten dukshëm.

Ajo tha se Universiteti i Prishtinës ka shënuar rënie drastike të shumës së shtesave, ndërsa Universiteti i Gjilanit ka më së shumti shtesa mujore me një mesatare prej 838 euro.

“Universiteti i Prishtinës ka shënuar rënie drastike të shumës së shtesave, ndërsa universitetet e tjera publike kanë pasur rënie të lehta dhe graduale përgjatë viteve. Bazuar në deklarimet e pasurisë të vitit 2021, Universiteti i Gjilanit ka më së shumti shtesa mujore me një mesatare prej 838 euro. Ndërkaq, Universiteti i Prishtinës e ka mesataren më të ulët të shtesave mujore me një shumë prej 371 euro”, tha ajo.


Ademaj potencoi se rektori i cili paguhet më së shumti në universitete publike është Fadil Millaku, ndërsa prorektorja e cila paguhet më së shumti është Vjollca Dibra. Kjo e fundit sipas Ademajt është edhe personi më i paguar nga të gjitha pozitat në të gjitha universitetet publike.

Ajo u shpreh se të ardhurat e profesorëve në pozita drejtuese në universitete publike tejkalojnë rrogën e personit me më së shumti përgjegjësi në Republikën e Kosovës.

“Rektorët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 2298 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 939 euro janë shtesa. Rektori i cili paguhet më së shumti në universitete publike është Fadil Millaku, tashmë ish-rektor i Universitetit të Pejës, me 2554 euro në muaj. Prorektorët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 2053 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 785 euro janë shtesa. Prorektorja e cili paguhet më së shumti në universitete publike është Vjollca Dibra, tashmë ish-prorektore në Universitetin e Gjakovës, me 2603 euro në muaj. Kjo njëherësh është edhe personi më i paguar nga të gjitha pozitat në të gjitha universitetet publike. Krahasimisht, rroga më e lartë në Kosovë, ajo e presidentes është 2390 euro në muaj, sipas ligjit të pagave për sektorin publik. Pra, të ardhurat e profesorëve me pozita drejtuese në universitete publike tejkalojnë rrogën e personit me më së shumti përgjegjësi në Republikën e Kosovës”, tha Ademaj.

Ajo tha se dekanët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 1934 euro në muaj nga të cilat mesatarisht 672 euro janë shtesa, ndërsa prodekanët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 1613 euro në muaj nga të cilat mesatarisht 400 euro janë shtesa.

Sa i përket mesatares së shpenzimeve për kokë studenti në universitetet publike, Ademaj tha se është 796 euro.

Lexo edhe

Video

error: