Dy partitë opozitare vazhdojnë të kritikojnë kryeministrin e vendit, Albin Kurti për qasjen që ka ndjekur në raport me dialogun me Serbinë. Ndonëse SHBA ka ngritur shqetësime për qëndrimet e opozitës ndaj planit evropian, disa nga partitë politike vazhdojnë ta kundërshtojnë disa pika të atij plani të pranuar të paktën gojarisht nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Dy partitë më të mëdha opozitare kërkojnë më shumë detaje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me pikat që përmban plani evropian.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa thotë se kryeministri Kurti, duhet të jetë më transparent lidhur me këtë çështje, derisa ka adresuar edhe një mori pyetjesh ndaj tij.
I pyetur për qëndrimet e SHBA-së kundrejt opozitës, Beqa tha se planin e sheh si pozitiv, porse sipas tij, kryeministri Kurti duhet të sqarohet më shumë.
“Ne e shohim pozitiv planin, megjithatë kryeministri Kurti ka ikur nga sqarimi, duhet të sqarojë qytetarëve, të jetë transparent për planin, edhe deputetëve. Pra, të jetë i hapur dhe mos të ikë kjo temë, sepse është kryesorja. Nuk mund të thuash sot në Kosovë që nuk është prioritet dialogu, kur të gjitha çështjet lidhen me njohje reciproke, pa pas një statut të qëndrueshëm Kosova nuk mund të krijojë as zhvillim ekonomik…10:55 Kryeministri Kurti të jetë i hapur, transparent, të tregojë çfarë ka pranuar, a duhet të ndryshohet Kushtetuta, çfarë nëse ka qenë çështje mere ose leje, çfarë ishim dëmtuar nëse e kishim lënë një çështje të tillë dhe çfarë po përfiton Kosova me pranimin e planit franko gjerman, si do të implementohet plani”, thotë Beqa.
Edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi tha për KosovaPress, se i gjithë procesi lidhur me dialogun nuk ka qenë aspak transparent nga kryeministri Kurti.
Krasniqi thotë se si parti vazhdojnë të jenë kundër këtij plani, sipas saj, është pritur që të ketë një njohje përfundimtare.
Ajo shtoi se Kurti dialogun me Serbinë e kishte si pikë të shtatë dhe tani atë e ka vendosur si të parën.
Kujtojmë se më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq kanë pranuar gojarisht propozimin evropian, që Bashkimi Evropian e ka quajtur një marrëveshje bazë.
1 Koment
Komentet janë të mbyllura.