Opozita paralajmëron debat për mos përfshirjen e katër komunave veriore në vendimin e ZRrE-së

Tri partitë opozitare po kundërshtojnë ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike. PDK, LDK e AAK pas dështimit të rezolutës kanë akuzuar qeverinë, shumicën parlamentare dhe ZRrE-në për koordinim të plotë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Opozita ka paralajmëruar edhe debat të jashtëzakonshëm për mos përfshirjen e katër komunave veriore në këtë vendim.

Në një konferencë të përbashkët të këtyre tri partive, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se Qeveria nuk është e interesuar që të parandalojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Kjo mazhorancë e dha një mesazh të qartë sot se ka këtu një koordinim të plot mes kryeministrit Kurtit, në mes ZRrE-së  dhe Grupit Parlamentar të LVV-së, të tri këto institucione bashkë janë bërë bashkë që të implementojnë një bllok tarifë, e cila është e papërballueshme për jetën e qytetarëve në Kosovë. Sot LVV bëri një gjest, e cila e tregoi qartë pozicionimin e LVV-së dhe të Kurtit sa i përket çmimit të energjisë elektrike. Nuk votuan, një rezolutë e cila do t’i kërkonte ZRrE-së, si institucion që i jep llogari Kuvendit të Kosovës që të mos vazhdojë me një politikë të tillë. Prandaj ne nuk kishim si të vazhdonim më tutje në seancë e cila është krejt e parëndësishme”, ka deklaruar Tahiri. 

Ai është pyetur edhe për protestat e paralajmëruara dhe pjesëmarrjen e opozitës në këto kundërshtime. Por për këtë u shpreh se do të ketë njoftim ditëve në vijim.

“Ka mekanizma ligjor përmes institucioneve tona gjyqësore, i cili duhet të kundërshtohet. Ka edhe mekanizma ligjor sepse këtu kemi një mospërputhje të madhe edhe me rregullativën që është në fuqi edhe me legjislacionin që është në fuqi. Në anën tjetër ky vendim po del në pah që tashmë e ka ngrit një problem politik shumë të madh. Unë nuk e di çfarë kompetence ka Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë për të ndarë territorin e Republikës së Kosovës. Katër komuna në veri të vendit nuk janë të përfshira në bllok tarifa. Tash po na del në pah një problem politik goxha i madh. Unë nuk po dua të paragjykoj sepse besoj që do të kemi një debat të veçantë ekskluzivisht për këtë çështje. Unë nuk e di a po e çon atë territor një autonomie apo çka?”, ka shtuar ai.


Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se do të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat ligjor për të kundërshtuar këtë vendim. Ai tha se nuk mund të bëhen pjesë e kësaj loje, përkundër numrave të mjaftueshëm që ka mazhoranca.

“Këto improvizime mashtruese të kësaj qeverie duke tentuar të fshihen nga mosdija, të fshihën prapa veprimeve të ZRrE-së apo edhe të krizës globale janë treguesi më i qartë në mos efikasitetin e treguesit të detyrave kushtetuese që i kanë si mandat të plotë. Më e rëndësishmja është mbrojtja e interesave të qytetarëve dhe nga varfëria, mbrojtja nga ndëshkimet, pa përgjegjësia, e cila me mosveprimet e saj e ka sjellë deri në këtë situatë”, ka thënë Zemaj.

E shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri u shpreh se ZRrE dhe qeveria kanë sinkronizim të plot në raport me këtë tarifë.

“Secili shqiptar i dytë e ka votuar LVV-në dhe mosmarrja pjesë në votim të LVV-së, realisht e dështoi rezolutën. Që në rastin më të keq e kishte ndihmuar ZRrE-në dhe qeverinë që të mos rrit çmimin e energjisë. Për shkak se rezoluta nuk është obligative, është rekomanduese dhe sugjeruese. Dhe e kishte ndihmuar këtë proces, në procesin e konsultimit. ZRrE dhe Qeveria kanë sinkronizim të plotë në raport me këto tarifë”, ka deklaruar ai.

Ai u shpreh se vendimi për ngritje të çmimit të energjisë elektrike është për të varfëruar qytetarin e Kosovës. 

Pas mungesës së vendimmarrjes lidhur me propozim rezolutën e dalë nga debati parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, PDK, LDK e AAK nuk kanë qëndruar në seancën e sotme.

Lexo edhe

Video