Opozita lëshon sallën, mazhoranca pret t’i bëhen numrat për votimin e masave emergjente

Kuvendi i Kosovës as pas orës 13:00, nuk po arrin të nis vazhdimin e seancës plenare për votimin e vendimit të qeverisë për vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji elektrike.

Në shenjë pakënaqësie opozita ka lëshuar sallën plenare, ndërsa aty po qëndrojnë deputetët e pozitës, të cilët po presin të bëhen 61 deputetë për votim.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kërkuar përgjegjësi dhe angazhim më serioz nga partia në pushtet.

Ai tha se po shohin një papërgjegjësi të madhe dhe një menaxhim të dobët nga mazhoranca.

“Kërkuam që kjo seancë të mos ndërpritet dhe të vazhdojmë sepse e kishte kuorumin edhe më herët, pra ne ishim në sallë prezent 61 deputetë. Kërkojmë përgjegjësi dhe kërkojmë angazhim shumë më serioz nga mazhoranca në këtë mandat. Po shohim një papërgjegjësi të madhe, një menaxhim jashtëzakonisht të dobët, nuk mendoj që duhet të vazhdojë Kuvendi Kosovës me dështime të njëpasnjëshme siç jemi duke dështuar”, tha ai.

Kryearti i GP të LDK-së, Arben Gashi tha se kjo nuk është në të mirë të demokracisë dhe as të parlamentarizmit. Prandaj, për këtë ai tha se GP i LDK-së largohet nga salla.


“Mendoj se është me rëndësi të kuptojmë që Kuvendi merr vendime me shumicë. Ne kemi më shumë se katër orë që kemi kuorum për votim dhe Kuvendi nuk po voton. Kjo nuk është në të mirë të demokracisë dhe as të parlamentarizmit. Prandaj, si prup parlamentar mendojmë se është e paarsyeshme që ne të vazhdojmë të marrim pjesë në seancë, duke marrë parasysh këtë sjellje ku po na pamundësohet qe disa orë të votojmë mbi bazën e vullnetit të lirë të deputetëve duke pritë që pushtetit t’i bëjë 61 deputetë. E paarsyeshme, e palogjikshme dhe jodemokratike. Grupi Parlamentar i LDK-së, largohet nga salla”, tha Gashi.

Edhe kryetari i GP të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi të mbyllen punimet e seancës së sotme parlamentare.

“Ne mundemi të qëndrojmë me prezencë fizike, por kushte për punë dhe deputetë nuk ka, kështu që mendoj se duhet me e mbyll këtë seancë”, theksoi Tahiri.

Pas kësaj, opozitës iu përgjigj kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se po punon në bazë të rolit kushtetues dhe me Rregullore të Kuvendit.

“Roli i kryetarit të Kuvendit nuk është për me bë gjeste dhe veprime të cilat i kontribuojnë bllokimit të seancave të Kuvendit. Roli im ashtu qysh e kam kuptuar edhe me Kushtetutë dhe me Rregullore të Kuvendit është për me i kontribuar funksionalitetit të Kuvendit. Për këtë arsye edhe ju pyeta se a i votoni pikat në vijim. Nëse nuk i votoni, për me funksionuar Kuvendi i Kosovës duhet mazhoranca me qenë e plotë në kuvend, për me marrë vendime, 61 deputetë që marrin pjesë në votim. Shumë kollaj është me ndërpre seancën dhe me thënë vazhdojmë javën e ardhshme, por për sa kohë që është e mundshme objektivisht, mbledhja e një shumice në Kuvend pse mos t’i kryejmë punët edhe sot”, u shpreh ai.

Nga deputetët e opozitës në sallën e Kuvendit të Kosovës mbeti vetëm Albena Reshitaj.

Seanca e sotme e thirrur për orën 11:00 ishte shtyrë për orën 13:00 për të arritur kuorumin, pasi në rend dite ishte votimi i vendimit të qeverisë për vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji elektrike. 

Lexo edhe

Video