Opozita lëshon mbledhjen e kryesisë, dorëzohet kallëzim penal për ministrin Murati

Në shenjë revolte për mos-ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, partitë opozitare kanë lëshuar mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për ministrin Hekuran Murati dhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Enis Spahiu. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se mos-pagesa është veprim arbitrar i pabazuar në vendim.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri deklaroi se mësimdhënësit po goditen e sulmohen me vendime arbitrare.

“Lëshuam mbledhjen e kryesisë në shenjë revolte dhe pakënaqësie për mos ekzekutimin e pagave për rreth 25 mijë mësimdhënës në nivelin lokal në Republikën e Kosovës. Ky është një vendim i paligjshëm, vendim arrogant i një ministri të papërgjegjshëm të ministrit të Financave. I cili cënon një të drejtë bazike të 25 mijë mësimdhënësve në Republikën e Kosovës. Ne nuk mund të sillemi me një situatë normale, ku kemi një keqpërdorim në nivel eklatant të pushtetit nga njerëz të pa përgjegjshëm. Kur kemi keqpërdorim të pozitës zyrtare nga një ministër i papërgjegjshëm, siç është ministri i Financave, Hekuran Murati”, ka deklaruar Tahiri në konferencë për media.  

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë kallëzim penal për ministrin Hekuran Murati dhe sekretarin e përgjithshëm të kësaj ministrie, Enis Spahiu për mos-ekzekutimin e pagave për 25 mijë mësimdhënës.

“Në këto momente, veç është duke u dorëzuar kallëzimi penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Konsiderojmë që një kallëzim penal i tillë bie nën autoritetin dhe përgjegjësinë e Prokurorisë Speciale, jo asaj Themelore dhe presim hapa të shpejt nga prokurorët special në raport me këtë çështje. Për shkak të veprës penale, ne kemi cilësuar si shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës nga neni 190, cenimi i të drejtave në marrëdhënie në punë nga neni 218, cenimi i të drejtës në grevë nga neni 222 në lidhje me nenin 414- keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar. Kemi bërë kallëzim penal për ministrin Hekuran Murati dhe sekretarin e përgjithshëm Enis Spahiu”, ka shtuar ai.

Mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e ka lëshuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Arben Gashi theksoi se qeveria në mënyrë arbitrare nuk po realizon këto pagesa për 25 mijë mësimdhënësit.

“Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës po u pamundësojnë mësuesve të Kosovës marrjen e pagave dhe po vështirësojnë jetën e mbi 25 mijë familjeve në Kosovë në këtë kohë krize, e kohë inflacioni. Problemi tjetër qëndron se qeveria nuk ka vendim, nuk ka vendim për mos pagesë. Duhet të nxirret një vendim formal nga një institucion dhe pastaj ky vendim të kontestohet në Gjykatë Kushtetuese, apo organe të tjera. Mos pagesa të cilën po e bën Qeveria e Kosovës është veprim arbitrar, jo vendim. Nuk ka vendim një formal në bazë të cilit ndalohet pagesa për këtë arsimtar”, u shpreh ai.

Ai bëri të ditur se nesër do të marrin pjesë në seancën plenare, ku është ftuar interpelancë e ministrit Hekuran Murati në lidhje me këtë çështje.


Gashi ka folur edhe për propozimin e ministres Arbërie Nagavci për pagesë në avancë dhe më pas kompensim.

“Nuk është e drejtë e ministrisë të merret me atë punë. Ajo është marrëdhënie kontraktuale mes mësuesve dhe nivelit komunal. Ministria nuk ka të drejtë të ndalojë këtë pagesë, sepse marrëdhënia kontraktuale ka lindur mes komunës dhe mësuesit. Jo mes mësuesit dhe Ministrisë së Arsimit. Ministria e Arsimit në këtë rast është thjesht aktor, i cili shikon nëse vendimet dhe veprimet e nivelit aktual janë veprime dhe vendime në pajtueshmëri me ligjin”, ka deklaruar Gashi në konferencë për media.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës po tenton që të bëjë përmbysje të rendit kushtetues, duke pakësuar liritë dhe kompetencat e autoriteteve lokale.

Ndërkaq, Shefja e shumicës parlamentare, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca ka pësuar një lëndim fizik, për çka edhe nuk ka udhëhequr mbledhjen e sotme të kryesisë.  

“Kryetari i Kuvendit të Kosovës prej sot e dhjetë ditë tjera nuk do të jetë në kuvend, në vendin e tij të punës për arsyeje shëndetësore. Kryetari e ka pasur një lëndim fizik mbrëmë dhe për këtë arsyeje me rekomandimin e mjekut duhet të qëndrojë në shtëpi në mënyrë që të ketë rikuperim të këmbës. Përderisa nënkryetarja e kuvendit, zonja Bogujevci e udhëhoqi mbledhjen, por i patë deklarimet e opozitës që refuzuan të jenë pjesë e takimit, ku do të përcaktohej agjenda e seancës së re të kuvendit për javën e ardhshme”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të jenë në një vijë për kompensimin e orëve. Ajo ka theksuar se ka kundërthënie mes ligjeve të cilat janë të aplikueshme në Kosovë.

“Situata apo ngërçi ka të bëjë ekskluzisht me çështje ligjore, nuk ka të bëjë me teket e dikujt, por me një problematikë e cila reflektimin dhe zgjidhjen për një të ardhme të afërt mund ta ketë në Kuvendin e Kosovës. Duke e bërë të zbatueshëm për të ardhmen e në formën e mirëfilltë edhe Ligjin për Greva por edhe duke ruajtur dhe garantuar të drejtën për të protestuar, duke përfshirë edhe punëtorët në arsim. Kjo është një çështje ligjore gjithashtu për faktin se të njëjtit punëtorë janë nënshkruar kur kanë shkuar në vendin e punës, ndërsa komunat kanë dorëzuar lista thuajse ka pasur mbarëvajtje të punës. Ministria e Financave është vetëm ekzekutuese dhe natyrisht konfirmuese e dokumentacioneve të cilit e pranojmë. Tek rasti i mësimdhënësve ka qenë rast i ditur që nuk ka pasur mësim, por edhe për arsyeje se tashmë është një ngarkesë shtesë për të gjithë çështja e kësaj ngecje një-mujore. Jam e bindur se do të jetë një zgjidhje shumë e shpejtë”, tha ajo.

Kusari-Lila ka pasur një thirrje edhe për opozitarët nga të cilët kërkoi që të mos e rëndojnë këtë situatë me politizim.

Në konferencë për media bëri të ditur se në mbledhjen e sotme ishte paraparë që të vendoset për 14 tetor një seancë e re me një mori pikash. /Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video