Opozita kundërshton shkarkimin e bordit të RTK-së, e quan kapje të shtetit nga LVV

Partitë opozitare po kundërshtojnë shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, duke thënë se ky është një shkarkim politik dhe me qëllim që bordi i ri t’i shërbejë pushtetit.

Në seancën ku është duke u diskutuar rekomandimi i shkarkimit të Bordit të RTK-së, kryetarja e komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ka lexuar arsyet e dhëna për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

“Anëtarët e bordit drejtues në vazhdimësi kanë dështuar të sigurojnë qasje të papenguar dhe të pakontestuar zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në auditimin e rregullsisë dhe performancës. Në bazë të nenit 136, paragrafi 1 të kushtetutës auditori i përgjithshëm është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar përfshirë veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike, ndërsa, Ligji për RTK-në e përcakton të njëjtin si institucion publik. Opinioni ligjor i Drejtorisë së përgjithshme për çështje ligjore dhe procedurale i Kuvendit të Kosovës konfirmon se asnjëherë nuk kishte ndonjë dispozitë në kuadër të ligjit për RTK-në që e kontestonte autoritin e ZKA-së. Në bazë të shkresave është evidentuar kontestimi i vazhdueshëm i procesit të auditimit nga menaxhmenti i RTK-së, ndërsa bordi ka dështuar të luaj rolin vendimmarrës dhe mbikëqyrës duke amnistuar këtë situatë të pengimit të personit zyrtar”, tha ajo.

Deputeti i LVV-së Armend Muja, tha se e mbështesin në tërësi propozimin e komisionit për shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së.

Muja tha se në vitin 2008 RTK i ka pasur 242 punëtorë, ndërse në vitin 2020 ka përfunduar me 1 mijë punëtorë.

Si arsye për shkarkim, ai tha se bordi i RTK-së ka refuzuar që të auditohet nën arsyetime të ndryshme, e në fund u shpreh se Zyra ligjore e Kuvendit ka dhënë mendim se asnjëherë nuk ka pasur asnjë pengesë që të kryhet auditimi i RTK-së.

“Sa i përket auditimit, çdo institucion në Kosovë përfshirë edhe Gjykata Kushtetuese që është ose mëtohet të jetë institucion i pavarur nuk e refuzon auditimin. Refuzimi i auditimit nga RTK është bërë mbi arsyetime të ndryshme jo po cenohet pavarësia, jo andej jo këndej, nuk është ai arsyetim i mjaftueshëm dhe ne në diskutim gjatë raportimit të Auditorit kemi pranuar evidencë që RTK, menaxhmenti i RTK e ka kontestuar këtë procedurë. Çështja jonë ka qenë pse, pse i ik ti auditimit. Dy, një arsyetim ka qenë që kështu po thotë Ligji i RTK-së, mirëpo Zyra e Kuvendit e ka dhënë vërdiktin, asnjëherë nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore që të auditohet RTK”, tha ai.

Nënkryetari i Kuvendit nga PDK, Bedri Hamza, tha se në këtë legjislaturë janë ndërruar detyrat e komisioneve dhe shumica prej tyre tha se janë shndërruar në komisione hetimore dhe se Kuvendi po shndërrohet në gjykatë.


Ai tha se kjo që po bënë pushteti nuk është kapje e shtetit, por sic tha ai, plasje e shtetit.

“Kjo nuk është kapje e shtetit, kjo është plasje e shtetit, shkarkoni more me një vendim të gjitha bordet, me një vendim, mos e lodhni Kuvendin, mos i lodhni krejt e keni bërë nijet, një vendim i shkarkojmë të gjithë. Mirëpo, le të mendojnë edhe ata të cilët janë duke i bërë këto veprime që munden me u përballë me përgjegjësi ligjore dhe unë inkurajoj të gjithë ata të cilët janë të ndikuar nga këto vendime që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore. Është keqpërdorim i pozitës zyrtare kur ki tejkalim të kompetencave të cilat t’i ka përshkruar ligji dhe t’i ka dhënë ligji”, tha ai.

Hamza ka inkurajuar të gjithë anëtarët t’i ndjekin rrugët ligjore, pasi tha se nuk mundet me pa emërim individual e shkarkim kolektiv.

Deputeti i LDK-së Agim Veliu, tha se ajo që po shihet gjatë këtyre tre muajve të kësaj qeverie është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjithë atyre që nuk kanë mendim si qeveria.

Veliu tha se kjo që po ndodh sot nuk është ndikim në transmetuesin publik, por është kapje klasike i këtij televizioni.

“Kjo që po ndodh sot nuk është ndikim, është kapje klasike ose thënë ndryshe shtetëzim i transmetuesit publik. Pas kësaj ndërhyrje të pushtetit në transmetuesin publik tani nuk ka mbetur asgjë tjetër veçse edhe emrin me ia ndryshu këtij televizioni, ta zëmë ‘Televizioni i partisë shtet’. Personalisht po edhe LDK distancohet nga kjo ndërhyrje në transmetues dhe nuk do të jemi pjesë e kësaj goditje për fjalën e lirë dhe demokracinë. Ju që keni vendosur ta kapni edhe këtë institucion tash nuk iu ka mbetur tjetër veçse ta dërgoni në RTK një komisar politik për propagandë dhe agjitacion”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AKK-së, Besnik Tahiri, tha se ky shkarkim është puro politik dhe me qëllim që bordi i ri të jetë nën menaxhimin e qeverisë.

“Ky shkarkim për vlerësimin tim është puro politik, është i njëanshëm, nuk ka të bëjë asgjë me vlerësimin e asaj që e kam thënë më herët që lidhet drejtpërdrejtë me vlerësimin e një organi kolektiv siç është bordi, po ka të bëjë me një vendim që buron thjesht edhe shqip me vendos një bord tjetër i cili është në menaxhim të drejtpërdrejtë prej qeverisë”, tha ai.

Lexo edhe

Video