Opozita kritikon projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan

Me gjithë kritikat e opozitës, Komisioni parlamentar për Ekonomi, ka miratuar të hënën Projektligjin me katër amendamente shtesë nga Zyra e Bashkimit Evropian për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Duke iu përgjigjur vërejtjeve të opozitës, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila tha se ky projektligj nuk ka për qëllim çrregullimet në treg, pasi që siç tha ajo është përmbajtësor dhe esencial.

Megjithatë, pa votat e opozitës, komisioni miratoi Projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore.

“Nga aspekti i përfaqësuesve të pozitës, i bëj thirrje opozitës me  shqyrtuar seriozisht këtë projektligj, sepse nuk ka ardhur si projektligj i cili ka pasur synimin nga ana e pozitës për me pasur ndonjë ndikim ose me shkaktuar ndonjë çrregullim në treg. E kundërta e saj është që këto çrregullime të cilat vijnë si rrjedhojë e situatave jo stabile ku po ballafaqohemi ne… Është aq përmbajtjesor dhe esencial që nuk po e shoh të arsyeshme që me pasur argumente që shkojnë në kundërshti të mos mbështetjes së këtij projektligji”, theksoi ajo.

Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ka dhënë vërejtjet dhe kritikat për këtë Projektligj, i cili sipas tij është antikushtetues. Lekaj po ashtu tha se me kohë ishte dashur që projektligji në fjalë të harmonizohet me direktivat e Bashkimit Evropian e jo sot.

“Nuk e di pse paraprakisht na e kanë sjellë projektligjin në komision pa u konsultuar me Zyrën e Bashkimit Evropian dhe me marrë komente. Por, si zakonisht Ministria përkatëse dhe qeveria më tepër po i ngjanë udhëheqjes në praktikante se sa në njerëz që i njohin ligjet. Kjo po dëshmon edhe sot që Qeverisë iu mungon shumë përvoja dhe na sjellin para akteve që prapë që ligjet dhe nenet të ndryshohen me sugjerimet e Bashkimit Evropian. Për këtë jemi në rregull, por pse nuk ka ndodhur me kohë kjo… Ajo që ne e kemi theksuar, është edhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, sepse bën diskriminim sa i përket tregut të lirë”, tha Lekaj.


Ndaj deputetit Lekaj, ka reaguar deputeti nga Vetëvendosje, Driton Hyseni i cili tha se komentet e BE-së kanë qenë të përfshira në projektligj që nga fillimi.

Megjithatë ai shtoi se komentet shtesë nga Zyra e Bashkimit Evropian vetëm sa e pasurojnë ligjin.

“Ne edhe kur kemi marrë propozimin për projektligjin në leximin e parë, kemi pasur komentet e BE-së, mirëpo konsideroj që ato komente fillestare që BE ka dhënë për ligjin, kanë qenë të përfshira në projektligj. Sot kemi të bëjmë me disa komente shtesë të cilat kanë për qëllim një saktësi më të thellë të paragrafëve të ligjit që për ne të gjithëve janë të mirëseardhura, pasi që vetëm sa e pasurojnë ligjin”, tha Hyseni.

Kundër këtij projektligji u deklarua edhe kryetari i komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala.

Deputeti Shala theksoi se projektligji është në kundërshtim me parimet e tregut të lirë dhe se është antikushtetues.

“Edhe herën e parë dhe tani kam pasur vërejtjet dhe sugjerimet e mija që ligji bie në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe me parimet kushtetuese për këtë temë. Duke mos dashur që të bëhem pjesë eventuale e shkeljeve të parimeve kushtetuese, nuk do të marrë pjesë në votim”, theksoi Shala.

Ky Projektligj për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore, është miratuar në parim në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës dhe është caktuar që me procedura të përshpejtuara, në një seancë të re më 8 nëntor të shqyrtohet në lexim të dytë./I. Shabani/

Lexo edhe

Video