Opozita e quan Muratin abuzues me buxhetin, ministri krenohet me punën e tij
Biznes
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Mes përplasjeve e akuzave ndërmjet opozitës dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati është shqyrtuar Raporti vjetor financiar për Buxhetin e vitit 2022 në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se ky raport e paraqet një menaxhim katastrofal dhe abuzim të buxhetit. Murati kritika mori edhe nga bashkë-partiaku i tij, Eman Rrahamni, deputet i Vetëvendosjes.

Mes tjerash ish-ministri i Financave, Hoti, ka adresuar kritika edhe për ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Sipas tij ai në vend se të merret me zhvillimin e bujqësisë, po merret me ndalimin e duhanit.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran  Murati, i është përgjigjur Hotit duke thënë se komunat që udhëhiqen nga partia e LDK-së janë më të dobëtat në realizimin e projekteve.

Sa i përket investimeve kapitale, ai theksoi se nuk është e vërtet që ka rënie të investimeve.  

Sërish pas këtij prezantimi, pati përplasje mes deputetit, Hoti dhe ministri Murati.

Hoti ministrin e Financave e quajti "mashtrues", sepse sipas tij mënyra si po arsehet ministri nuk është e drejtë.

"Mos fol kot se reagoj ndryshe, kush e ka bërë FSK-në, nuk mund të flasësh kështu. Kur them ku kanë shkuar avanset shihe çfarë flet ky mashtrues. Ky mashtruesi tash e arsyeton vendimi për subvencionim për energji, këtë nuk e keni paraqit në raport", është kundërpërgjigjur Hoti.

Madje përplase pati edhe me bashkë partiakët e tij, deputeti nga LVV, Eman Rrahmani, i cili akuzoi ministrin Murati për fjalë të pavërteta.

Gjithë debati erdhi pas pyetjes së deputetit, Ferat Shala në lidhje me numrin e këshilltarëve politik.

Për këtë, ministri Murati tha se këshilltar politik ka më pak se secili ministër që kishte në qeveritë paraprake.

Këtu, deputeti Eman Rrahmani ka hedhur akuza kundrejt fjalëve të ministrit Murati. Sipas tij, ministri i Financave vazhdimisht ka sulme drejt deputetëve, me ç'rast ka kërkuar edhe arsye të këtyre sulmeve ndaj tyre.

Murati tha se nuk e ka ndonjë problem, derisa tregoi për numrin e këshilltarëve.

Edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala ka shprehur pakënaqësi lidhur me punën e qeverisë.

Shala shprehi shqetësimin e tij se rezerva shtetërore është bartë jashtë Kosovës.  

Ndërkaq, deputeti nga radhët e AAK-së Pal Lekaj tha se ministrat e qeverisë Kurti kanë ardhur sa për t’u dukur dhe jo që të merren me menaxhim të mirëfilltë.

Pas gjithë akuzave të opozitës ndaj qeverisë për keqmenaxhimin e parasë publike, Ministri Murati vazhdon të mburret me punën e realizuar.

Murati tha se ky raport është vlerësuar si ndër më të mirat nga institucionet ndërkombëtare./E. Krasniqi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024