Deputetë nga partitë opozitare kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Padia është bërë nga anëtarët e Komisionit hetimor për tekstet shkollore, të cilët konsiderojnë se ministria ka bërë shkelje ligjore në procesin e subvencionimit të teksteve.
Kryetari i komisionit hetimor, Shemsedin Dreshaj ka thënë se raporti i komisionit ka bazë për hetim të mëtejshëm nga Prokuroria Speciale “lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces”.
E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se një nga raportet kryesore që kanë kërkuar deputetët e komisionit ka qenë lista e përfituesve nga subvencionimi me tekste shkollore por sipas tyre as Nagavci e as ministri i Financave, Hekuran Murati nuk e kanë dërguar një raport të tillë.
Ndërkaq deputeti Agim Veliu ka thënë se ky raport ka ndihmuar për të evidentuar "shkeljet ligjore nga përdorimi i buxhetit të Kosovës për subvencionimin me tekstet shkollore".