Monitoruesi nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija thotë se është herët për të konkluduar arsyet e arrestimeve të kryera të enjten nga Specialja. Ai thotë se të arrestuarit mund të lirohen nëse nuk sigurohen prova të arsyeshme për të vazhduar hetimet.
Tre persona janë arrestuar, ndërkaq janë kryer edhe bastisje nga hetuesit e Speciales.
“Kryesisht këto bastisje ku kanë ndodhur edhe në të kaluarën, kanë ndodhur për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale të pengimit të administrimit të drejtësisë. Pra, është ende herët që të vijmë me një konkluzion se për çfarë dyshimi apo arsye janë ndaluar”, thotë Alija.
Monitoruesi i procesit gjyqësor në Hagë, thekson se Dhomat e Specializuara e kanë në mandat që t’i ndjekin veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.Ai thotë se zhvillimet e sotme nuk mund të kenë ndikim në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Sipas tij arrestimet e sotme apo dyshimet në kryerje të veprave penale të pengimit të administrimit të drejtësisë, do të jenë raste të reja, nëse ka prova.
Është raportuar për bastisje edhe në shtëpisë së ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Sipas ZPS-së, procesi hetimor përqendrohet në vepra kundër administrimit të drejtësisë.
Përmes një njoftimi të lëshuar në faqen zyrtare, ZPS ka thënë se operacionet janë autorizuar nga ana gjyqësore e Dhomave të Specializuara dhe janë mbështetur nga EULEX-i./B.Ibishi