Rreth 20 profesionistë shëndetësorë nga Turqia dhe Kosova u angazhuan për kryerjen e operacionit të një 28 vjeçari, i cili zgjati mbi 13 orë. Operacion ky i cili është realizuar për herë të parë në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Për shkak të mungesës së specializimit të kirurgëve, ka qenë e pamundur të kryhet me sukses ky operacion pa ndihmën e ekipit mjekësor nga Turqia.
Drejtori i Kirurgjisë Maksillofaciale, Alban Olluri në një intervistë për KosovaPress thotë se intervenime të tilla nuk kryhen në disa vende të rajonit, për shkak të kompleksitetit.
Olluri thekson se në operacionin mbi 13 orësh i cili është kryer rreth dy javë më parë, kanë qenë të përfshirë 20 anëtarë të ekipit mjekësor nga Turqia e disa të tjerë vendorë.
Megjithatë, Olluri tregon se katër kirurg nga Klinika Maksillofacile po ndjekin trajnime në Bohum dhe Ahen të Gjermanisë, që në të ardhmen ky lloj operacioni të kryhet nga vetë ata.
Për KosovaPress, Olluri bënë të ditur se për shkak të neglizhencës së pacientit për rreth 6 vjet, ka bërë që gjendja e tij të vijë deri në këtë pikë.
Ndër të tjera, Olluri thotë se brenda një muaji, pacienti i cili i është nënshtruar këtij operacioni do ta fillojë ta merr veten dhe t’i kthehet normalitetit. Ai ende po vazhdon të trajtohet në këtë klinikë./Z.Zeneli/