“OPEN BALKAN”, NJË DYQAN QË PUNON ME ORAR TË VUÇIQIT!

“OPEN BALKAN”, NJË DYQAN QË PUNON ME ORAR TË VUÇIQIT!

Është iluzore të presim që të funksionoj “Ballkani i hapur”, kur në anën tjetër kemi disa disa dyer të mbyllura, siç është Kosova,  çelësat e të cilave ende i mban si peng  Serbia.

Vuçiqi ndryshe sillet në Bruksel, e krejt ndryshe në Shkup. Në Bruksel sillet si një iriq që përdor gjilpëra për t’u mbrojtur nga kundërshtari, kurse në Shkup – si një qengj që është i gatshëm ta flijojë lëkurën e tij për një copë demagogji që e shet tepër lirë në mejhanen ballkanike, në stilin “gjithçka 1 euro!”.

 Në përballje me delegacionin kosovar në Bruksel, Vuçiqi teksa refuzon çdo iniciativë të Kurtit, tregon në praktikë çfarë shkatërruesi urash të bashkëpunimit rajonal është, ndërkohë që në Shkup, përkrah Ramës e Zaevit, mundohet të vesh një kostum tjetër, që e shet si modën e fundit të tolerancës e mirëkuptimit. Në fakt, garderobës së Vuçiqit në të ashtuqujaturin Forumi ekonomik për bashkëpunim rajonal në Shkup, i vjen ngapak era dhe mesjetar, sepse ai me kokëfortësi e mohon ekzistimin e shtetit të Kosovës dhe të gjitha derivatet që dalin nga kjo, përfshi edhe ballafaqimin me të kaluarën kriminale, identifikimin e të pagjeturve, denacifikimin e jetës politike e institucionale, reparacionin e dëmeve të shkaktuar gjatë luftës dhe okupimit të Kosovës etj.

“Jemi këtu për të vendosur për të ardhmen tonë të përbashkët. Ne nuk kemi probleme mes vete…Nuk do ketë as kufij për të na ndaluar”, tha Vuçiqi në Forumin ekonomik që po mbahet në Shkup. Por, për të cilën të ardhme po flet Vuçqi? Dhe si qenka e mundur të mos kemi probleme në mes vete, siç thotë ai, ndërkohë që natë e ditë punon që Kosovës t’i krijojë probleme në etablimin e saj si shtet brenda vetes dhe në arenën ndërkombëtare. Vuçiqi tash e disa vite ka punuar që Kosova të jetë shtet jofunksional, kurse lidhjet e saj me botën janë minuar nga përpjekjet e Beogradit për të zbehë legjtimitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Pastaj, për cilët kufij flet Vuçiqi, ndërkohë që ai ende në kushtetutën e vet e ka Kosovën si pjesë të Serbisë dhe puna e parë që do të duhej të bëjë ai, nëse do t’ia kërkonin Rama e Zaevi në Shkup, do të ishte lirimi i Serbisë nga mitomania mesjetrae për ta trajtuar Kosovën si djep të saj.

Të trajtosh Kosovën si pjesë konstitutive të Serbisë, siç po vepron Vuçqi, në njërën anë, dhe të kërkosh heqjen e kufinjve me Shqipërisë, Serbisë  dhe Maqedoninë e Veriut, në anën tejtër, është njësoj si të ndërtosh një shtëpi duke filluar nga pullazi.


Çfarë bashkëpunimi ekonomik rajonal mund të ndodhë nëse Kosova lihet në fushën e manovrave subversive të Serbisë, e cila po punon pa rreshtur për bosnjizimin e kësaj pjese të rajonit.
Bisedimet e deritanishme të Bruksleit kanë dëshmuar se Vuçiqi nuk e ka ndërmend të ballafaqohet me të kaluarën dhe nuk e ka ndërmend ta trajtojë Kosovën si shtet fqinj. Vuçiqi në Bruksel shkon për të siguruar status shtetformues për serbët e Kosovës, duke  futur ata në paradhomat e bosnjizimit.

“Ballkani i hapur” është zëvendësim terminologjik i Minishengenit Ballkanik të shumëkritikuar. Treshja Rama, Zaev, Vuçiq janë përcaktuar për këtë emërtim të ri për një arsye shumë të theshtë: që t’i ikin tiranisë publike që shkaktonte syntagma Minishengeni Ballkanik. Por, në fakt emërtimi i ri nuk mund t’i fsheh brenda thesit brirët kontravers të një iniciative që niset prej askundit dhe përfundon në askund.

Problemi kryesor me të cilin ballafaqohet kjo nismë e re rajonale, e cila e ndryshon emrin varësisht nga presioni publik, është se tri shtetet: Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Serbia i kanë përjashtuar vendet e BE-së nga procesi i Berlinit.
Problemi tjetër është se rolin udhëheqës në këtë iniciativë rajonale, e jo evropiane, do ta ketë Serbia, si shteti më i madh dhe më i fuqishëm në rajon, i cili dhe i imponon rregullat e lojës. Për rrjedhojë, Kosova në këtë konfigurim rajonal nuk mund t’i ketë mekanizmat  e nevojshëm çfarë i siguron Procesi i Berlinit, për arsye se në “Ballkani i hapur” fjalën kryesore  e ka Serbia. Kjo e fundit ende po e mban Kosovën peng të atavizmave të saj dhe për pasojë rajoni nuk mund të ketë ndonjë bashkëpunim efikas nëse disa rrugë janë të bllokuara. Një prej atyre rrugëve kalon edhe nëpër Kosovë dhe nuk e kemi të qartë se çfarë qarkullimi ekonomik e tregtar do të ketë në mes të Serbisë dhe Shqipërisë, nëse Kosova ende trajtohet si një gropë e zezë.  

Një prej formulimeve që dominuan në retorikën e tre liderëve balkanikë ishte se “shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin që të futen në BE për të lëvizur lirshëm me njëri-tjetrin, por duhet të bëhen pjesë e kësaj nisme strategjike”.

Nëse qenka kaq e lehtë bërja e strategjive rajonale, atëherë pse liderët nga Beogradi dhe Prishtina vite të tëra ballfaqohen me kundërshtime sa i përket tejkalimit të problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Pse liderët rajonalë që nënshkruan disa dokumente në kuadër të të ashtuquajturit “Ballkani i hapur” në Shkup, nuk iu qasën një problem shumë më të qenësishëm, siç është kontesti i hapur  në mes të Kosovës dhe Serbisë, por zgjodhën ta anashkalojnë  këtë problem në emër të njëfarë mirëkuptimi rajonal strategjik.

Çfarë mirëkuptimi rajonal mund të ketë, kur pjesëtarë të qeverisë serbe në Beograd për çdo ditë dërgojnë mesazhe militariste kërcënuese në adresë të Kosovës, duke minuar çfarëdo lloj shanse për ndonjë kompromis të mundshëm.

Është iluzore të presim që të funksionoj “Ballkani i hapur”, kur në anën tjetër kemi disa disa dyer të mbyllura, siç është Kosova, çelësat e të cilave ende i mban Serbia.

Lexo edhe

Video