Olimpiadë si asnjë tjetër, Tokio 2020 nis nën masa kufizuese prej COVID-19

Olimpiadë si asnjë tjetër, Tokio 2020 nis nën masa kufizuese prej COVID-19

Mbi 11,300 atletë nga 207 shtete të botës nisën sot zyrtarisht edicionin e Lojërave Olimpike të Tokios, të cilat duhet të ishin zhvilluar vjet, por u shtynë për shkak të pandemisë.

Në një ceremoni pa spektatorë, por të organizuar në stadiumin kombëtar të Tokios me koreografi shumëngjyrëshe, Japonia i dha zyrtarisht nisjes së lojërave. Mirëpo ky edicion do jetë si kurrë më parë.

Kur Lojërat Olimpike u shtynë në marsin e vitit 2020, autoritetet sportive thanë se “garat mund të ktheheshin në dritën në fund të tunelit”, mirëpo një vit më pas Japonia mbetet thuajse në të njëjtat rrethana të infeksionit nga COVID-19 dhe Lojërat janë detyruar të zhvillohen pa spektatorë dhe nën protokolle të ashpra mjekësore, përcjell Euronews Albania.

Maska, distancë dhe kontakte të kufizuara, teste të përditshme dhe karantinë e detyruar për personat që kanë pasur kontakte me të infektuar, një Olimpiadë si asnjë tjetër.

Pa nisur Lojërat Olimpike autoritetet kanë pikasur 106 raste me COVID-19 mes sportistëve (11) dhe stafeve të përfaqësueseve duke vënë në diskutim vijimin e garave.


Megjithatë këto Lojëra, që nisin sot – dhe zgjasin deri më 8 gusht, – do të ketë risi nga ana sportive.

Si kurrë më parë në program do jetë një rekord prej 33 garash sportive me një total prej 339 eventesh me medalje – pesë sporte të reja të ndërfutura me 34 evente shtesë.

Pesë sportet e reja janë karateja, skatebord (skejtbordi), ngjitja vertikale, baseball/softball (bejzbolli) dhe surfing (sërfi).

Tokio do të ketë më shumë atlete vajza se të gjitha Lojërat e shkuara – 48.8% e sportistëve pjesëmarrës.

Medaljet e këtij viti janë prodhuar nga materiale celularësh të ricikluara, ndërsa pishtari olimpik është bërë prej alumini të ricikluar nga materialet e shtëpive të përkohshme që u ndërtuan gjatë tërmetit të fortë të vitit 2011.

Gjithashtu në Fshatin Olimpik, disa prej mobileve si dhe krevatet janë prej kartoni të ricikluar, një mënyrë kjo për të shkurtuar ndjeshëm kostot e organizimit, të cilat janë shtuar me 22% vetëm prej shtyrjes me një vit.

Lexo edhe

Video