Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar të martën se thatësia i kushton botës më shumë se 300 miliardë dollarë çdo vit.
Këto gjetje janë përfshirë në raportin e ri të OKB-së, teksa po zhvillohen bisedime për shkretëtirëzimin në Arabinë Saudite. E nxitur nga “shkatërrimi që i bën njeriu ambientit” thatësia pritet të ndikojë në jetët e 75 për qind të popullsisë së botës deri më 2050, sipas raportit.
OKB-ja ka bërë thirrje për investim në “zgjidhje me bazë në natyrë”, sikurse “ripyllëzimi, menaxhimi i kullotave, si dhe restaurimi i pellgjeve ujëmbledhëse”. Duke marrë parasysh nivelet e larta të thatësisë në Ekuador, Brazil, Namibi dhe Malaui, si dhe në vendet në kufi me Mesdheun, viti 2024 pritet të regjistrojë rekord si viti më i nxehtë prej kur kanë nisur të bëhen matje.
“Kostoja ekonomike e thatësisë shkon përtej humbjeve bujqësore. Ndikon në zinxhirin e furnizimit, në jetët e njerëzve, shkakton uri, papunësi, migrim, dhe sfida afatgjata për sigurinë e njeriut”, ka thënë Kaveh Madani, bashkautor i raportit.