OKB në alarm: Do të vijë më e keqja për klimën, pasoja katastrofike

OKB në alarm: Do të vijë më e keqja për klimën, pasoja katastrofike

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka kërkuar reduktimin e shpejtë e në shkallë të gjerë të emetimit të gazrave shkaktare të efektit serë.

Ai tha se është e nevojshme që të shmanget katastrofa klimatike. Thirrja e Guterres vjen përpara samitit të klimës që nis muajin e ardhshëm në Glasgou të Skocisë.

Në një raport të hartuar nga një sërë agjencish të Kombeve të Bashkuara për  çështjen e klimës thuhet se ndryshimet klimatike dhe ndikimet e saj po përshpejtohen.


“Këto ndryshime janë vetëm fillimi i të keqes që pritet të vijë. Qeveritë duhet të përmbushin objektivat që dalin nga marrëveshja e klimës e arritur në Paris në 2015. Nëse nuk ka reduktime të menjëhershme të gazrave serë, pasojat do të jenë katastrofike për njerëzit dhe planetin,” tha Guterres.

Marrëveshja në fjalë bën thirrje për të kufizuar ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius mbi nivelin para-industrial, dhe aq më mirë nëse kjo mund të ulet afër 1.5 gradë Celsius.

Shefi i OKB-së tha se asnjë vend nuk është i sigurt nga fatkeqësitë natyrore dhe për këtë mori shembull motin ekstrem dhe uraganet vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara, përmbytjet në Evropën Perëndimore dhe valët e nxehtësisë në rajonin e Paqësorit.

Lexo edhe

Video