OKB mbështet masat e marra nga qeveria shqiptare për parandalimin e Covid 19

OKB mbështet masat e marra nga qeveria shqiptare për parandalimin e Covid 19

Kombet e Bashkuara në Shqipëri janë duke ndjekur dhe mbështesin tërësisht përpjekjet e autoriteteve shqiptare, për të vepruar shpejt kundër përhapjes së epidemisë dhe që të garantojnë se çdokush është i sigurt.

Koordinator i Përhershëm i OKB në Shqipëri Brian J. Williams, në një intervistë për RTSH, tha se “në mbështetje të këtyre masave Kombet e Bashkuara kanë vendosur të punojnë nga shtëpia, të telekomunikojnë, duke maksimizuar distancën sociale që të garantojnë se çdo kush mbetet i sigurt përkundrejt kontaktit me virusin. Është shumë e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të jenë të informuar mbi virusin dhe të mund të mbrojnë vetveten. Ka shumë informacione nga faqet e qeverisë, nga OBSH , nga rrjetet sociale. Është vërtetë e rëndësishme që të qëndroni të informuar dhe të merrni masat. Nuk ka arsye përse të trembeni”.


“Reagimi i shpejtë nuk është shenjë paniku, është shenjë mençurie. Nëse ne të gjithë i mbajmë këto masa, do të mbrojmë Shqipërinë nga përhapja e Covid 19. Gjithashtu ne kemi respekt të jashtëzakonshëm për personelin mjekësor, policët, për autoritetet qeveritare dhe për të gjitha ata që punojnë çdo ditë në terren pavarësisht ambientit. Është vërtetë e rëndësishme që t’i falënderojmë për punën e tyre”, shprehet ai.

“Përfundimisht Kombet e Bashkuara i qëndrojnë besnike programeve të tyre në Shqipëri edhe pse jemi duke punuar nga shtëpia, po bëjmë gjithçka të mundur që të ruajmë vazhdueshmërinë dhe veçanërisht për aktivitetet që po adresojnë pjesët e dobëta të popullsisë. Ne jemi të gatshëm për të gjithë partnerët tanë dhe të gjithë ne jemi duke bërë më të mirën. Shpresojmë që kjo nuk do të zgjasë shumë” tha për RTSH Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB në Shqipëri./ATSH/

Lexo edhe

Video