OKB e konsideron të paligjshme shpalljen non grata të një zyrtari rus në Kosovë
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka reaguar pasi Kosova ka shpallur një zyrtar rus të UNMIK-ut person non grata.

Zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, Stéphane Dujarric ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen non grata të një anëtari të stafit të UNMIK-ut nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk parashikohet sipas rregullores së UNMIK-ut.

“Ne jemi vënë në dijeni për deklaratën e autoriteteve të Kosovës si “persona non grata” të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Nuk ka asnjë komunikim zyrtar nga Misioni nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë njoftim. Doktrina e “persona non grata” nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, ka thënë Dujarric.

Sipas tij, çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t'i drejtohet udhëheqjes së misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë çështjen në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetet e UNMIK-ut dhe personelit të tij.

“UNMIK-u dhe selia e OKB-së po marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e pjesëtarit të personelit në fjalë dhe po ndjekin autoritetet përkatëse për këtë çështje”, tha Dujarric.

Ndryshe, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla ka njoftuar më 31 dhjetor se ka nxjerrë vendimin për shpalljen non-grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare. Sipas Gërvallës, kjo është bërë me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së. Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme. Qytetarët e Republikës së Kosovës i sigurojmë se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit tonë, sa herë që të jetë e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024