Ofensiva ukrainase fiton terren me tërheqjen ruse nga Kharkivi

Ofensiva ukrainase fiton terren me tërheqjen ruse nga Kharkivi

Trupat ruse po tërhiqen nga zonat kryesore të rajonit të Kharkivit, në Ukrainë, përfshirë qytetin strategjik të Izyumit, tha Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërsa kundërofensiva e Kievit për të rimarrë territorin po merr një vrull të ri.

Trupat ruse po tërhiqen gjithashtu nga qyteti i Balakliyas, të cilin ukrainasit e kanë  raportuar se e kishin çliruar javën e kaluar.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se rigrupimi synon të forcojë njësitë në rajonin fqinj të Donetskut.

Sipas shumë ekspertëve ushtarakë, presioni i përparimit masiv të Ukrainës në Kharkiv i ka shtyrë rusët të tërhiqen.

Më shumë se 10 000 ushtarë rusë u tha se kërcënoheshin me rrethim nga trupat ukrainase.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha dje në mbrëmje se, që nga fillimi i muajit, ushtria ukrainase rimori rreth 2 000 kilometra katrorë territor në zonat e pushtuara më parë nga Rusia si pjesë e kundërofensive të Kievit.

Në fjalimin e tij të përditshëm të mbrëmjes, Zelensky falënderoi të gjithë ushtarët që u përfshinë në rimarrjen e territorit në rajonin e Kharkivit.

”Ushtria ruse bëri një zgjedhje të mirë duke ikur. Nuk ka dhe nuk do të ketë vend për pushtuesit në Ukrainë”, tha presidenti.


Pala ukrainase kishte thënë më herët gjatë ditës se kishte bërë përparime të mëdha në Kharkiv.

Për shkak të lidhjes së tij direkte hekurudhore me Rusinë, Kupyansku është i rëndësishëm si një qendër transporti për furnizimin e trupave ruse.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në rajonin e Kharkiv ndërkohë u bënë thirrje banorëve të zonave, që më parë ishin nën kontrollin e tyre, të largoheshin pasi forcat ukrainase po fitonin terren.

“Unë rekomandoj edhe një herë të gjithë banorët e rajonit të Kharkiv që të largohen nga zona për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre”, tha dje kreu i administratës ushtarake të emëruar nga Rusia, Vitaly Gantshev, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS.

Sipas një vlerësimi të fundit të shërbimeve sekrete britanike, ”disa nga forcat ukrainase kishin avancuar deri në 50 kilometra në territorin e mbajtur më parë nga Rusia, në jug të rajonit të Kharkivit”.

”Forcat ruse ishin nën presion si në krahun verior ashtu edhe në atë jugor të konfliktit”, thanë ato.

Të premten, Zelensky tha se trupat ukrainase kishin rimarrë më shumë se 30 qytete dhe fshatra në Kharkiv.

“Ne po marrim gradualisht kontrollin e vendbanimeve të reja. Kudo ne po rikthejmë flamurin ukrainas dhe mbrojtjen për popullin tonë”, shtoi ai.

Zelensky vuri në dukje se “luftime të ashpra po vazhdojnë në rajonin e Donbassit”.

Lexo edhe

Video