OEK: Vaksinat të blihen me fond të shëndetësisë, jo me mjetet e rimëkëmbjes

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, deklaroi se qeveria duhet të blejë vaksinat anti-Covid përmes një fondi të veçantë për shëndetësinë jo nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike.

Kryetari i OEK-ut, Rukiqi në konferencën për media ka theksuar se shuma e ndarë prej 6.5 milionë eurosh për t’u dalë në ndihmë bizneseve për subvencionimin e pagave është shumë e vogël për t’i plotësuar dëmet e shkaktuara nga pandemia.

Ai ka kërkuar që kjo shumë do të duhej të ishte të paktën dhjetëfish më shumë.

“Në sektorët e dëmtuar nga pandemia që nuk janë numër i vogël i kompanive dhe 6.5 milionë euro është e pa mjaftueshme. Supozojmë se me 60 milionë euro që kanë qenë të ndara herën e kaluar bizneset i kanë përfituar mesatarisht nga 290 euro, ndërsa me 6.5 milionë euro mund ta merrni me mend se sa është shuma që mund ta përfitojnë bizneset nga subvencionimi i pagave, që do të jetë një shumë e vogël. Edhe 3 milionë euro të tjera janë për sektorët më të goditur te gastronomia. Ne kemi pritur që shuma që është miratuar në buxhet dhe me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike do të dedikohet për sektorin privat. Ndërsa, brenda kësaj shumë shohim që ka fond për blerjen e vaksinave që janë të nevojshme, por këto do të duhet të ishin me një buxhet të veçantë për shëndetësinë”, tha ai.


Sa i përket lehtësimit të masave anti-Covid sot nga Qeveria, kreu i OEK deklaron se do të duhej të hiqet ora policore duke ua mundësuar bizneseve veprimtarinë ekonomike.

Ndërsa, ka theksuar me rritjen e pensioneve nuk arrihet rimëkëmbja ekonomike.

“Në të njëjtën kohë kemi rritje të skemave sociale, Kosova edhe ashtu ka skemat sociale në raport me GDP-në të larta dhe tash prapë kemi rritje të skemave sociale. Pra, dua ta them qartë se me rritje të skemave sociale nuk arrihet rimëkëmbja ekonomike. Është e nevojshme të mbështeten qytetarët, por me politika sociale nuk arrihet rimëkëmbja ekonomike. Sa i përket masave, është e mirëpritur lehtësimi i masave që ka ardhur si pasojë e rënies së numrit të rasteve, mirëpo prapë te zona e kuqe kemi një diskriminim në raport me pjesën tjetër. Do të duhej të ishte një orar unik dhe të hiqet ora policore në mënyrë që aktiviteti ekonomik dhe lëvizja e qytetarëve të jetë e lirë, duke parë që në dy-tri javët e fundit kemi pasur shkelje drastike të masave nga subjektet politike”, tha ai.

Ai ka shtuar se si OEK presin që pas pandemisë të bëhet rritja e investimeve në disa sektorë dhe se fokusi do të jetë tek diplomacia ekonomike.

Rukiqi shtoi se në raport me jo stabilitetin politik që ka Kosova në këtë fillim vit do të jetë shumë e vështirë që të ketë një rikuperim të asaj që çka është humbur vitin e kaluar që sipas Bankës Botërore do të ketë një tkurrje ekonomike mbi 8 përqind.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: