OEAK: Bie niveli i korrupsionit, ryshfeti forma më e shprehur
Lajme
Lexohet për: 3 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykatat nuk kanë shënuar përmirësim të madh në aspektin e korrupsionit, ndërkaq ryshfeti vazhdon të mbetet një prej formave më të zakonshme të korrupsionit, kështu ka rezultuar nga të gjeturat e studimit mbi Perceptimin e Korrupsionit në Kosovë, e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) në bashkëpunim me Programin e USAID për Drejtësi Komerciale.

Chris Thompson nga veprimtaria e drejtësisë tregtare, USAID po ashtu tha se pavarësisht se shihet një përmirësim në aspektin e korrupsionit tek gjykatat, ai tha se në projektet tjera do të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim.

Drejtori i Odës Amerikane të Kosovës, Arian Zeka tha se sa i përket përgjigjeve nga korrespodentët, ka rezultate të përmirësueshme sa i përket korrupsionit, mirëpo qe duhet punuar ende në këtë drejtim.

Po ashtu sa i përket përgjigjeve në anketë, Zeka tha se 40 për qind e korrespodentëve besojnë se qeveria ka prani të korrupsionit dhe se institucionet më të korruptuara janë komunat.

Sipas përgjigjeve nga anketa, Zeka tha se krahasuar me vite ka rënie të korrupsionit, porse ka shtuar se ryshfeti vazhdon të mbetet forma më e zakonshme e korrupsionit.

“Si ka lëvizur korrupsioni në pesë vite, ky është një indikator goxha shpresëdhënës, sidomos që vazhdon të ketë përmirësim edhe prej vitit të kaluar. Ndërkaq, në pyetjen sa ka korrupsion sot, krahasim me pesë vite me parë, mbi 43 për qind e korrespodentëve thonë se është zvogëluar dhe kjo vazhdon ta ndjek atë optimizmin që bizneset e kanë shprehur edhe në vitin 2021 me ndryshimin e qeverisë. Ndryshimet në qeveri kanë ndikuar edhe në perceptimin e bizneseve që ato shprehin sa i përket trendit të korrupsionit në vendin tonë. Ndërsa, ndër format më të zakonshme të korrupsionit në Kosovë, vazhdon të jetë ryshfeti forma më e shprehur e korrupsionit”, tha mes tjerash Zeka.

Zeka ka shtuar se ATK përgjatë disa viteve të fundit është ranguar goxha mirë në këtë aspektin e perceptimit të korrupsionit, porse ai tha se ATK dhe Dogana e Kosovës janë konsideruar gjithnjë si institucionet më problematike në të bërit biznes.

Zeka po ashtu tha se si faktor konstant mbetet sundimi i dobët i ligjit, moszbatimi i duhur i kornizës ligjore.

Nertila Latifi nga USAID tha se sipas përgjigjeve nga bizneset, shihet se policia është njëri prej institucioneve më efektive ligjvënëse në luftën kundër korrupsionit.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se ATK ka shënuar një progres si nga aspekti i rritjes së transparencës e po ashtu edhe tek percepsioni për korrupsion.

Anketa është kryer me 198 biznese në të gjithë territorin e Kosovës, në shtatë rajonet kryesore./E. Krasniqi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024