Odat ekonomike kërkojnë nga Qeveria rritjen e borxhit publik: Kosovës i duhen investimet

Komuniteti i biznesit dhe ekspert të ekonomisë kritikojnë Qeverinë për uljen e borxhit publik në 17.3 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Kosova po del të jetë borxhliu më i vogël në Evropë dhe rajon, por ky trend po e bën të mburret ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Sipas tij, kthimi për huan në periudhën para pandemisë është për shkak të menaxhimit të mirë të parasë publike.

Banka Qendrore e Kosovës vlerëson se nivel i borxhit publik është larg nga pragu i paraparë me ligj prej 40 përqind e BPV-së si dhe larg nga mesatarja e vendeve të rajonit që është rreth 60 për qind e BPV-së.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të mburret me nivelin e ulët të borxhit.

Ai ka kërkuar nga ekzekutivi që të rritet niveli i huas për projekte konkrete që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në ngritjen e mirëqenies sociale.

Sipas kryetarit Rafuna, Kosova mund të hyjë borxh deri në 60 për qind të GDP-së.

Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri vlerëson se rënia e borxhit publik nën 20 për qind është e dëmshme për vendin.


Sipas saj, kjo tregon mungesë të investimeve në vend.

Beqiri shton se kjo shihet si dukuri negative edhe nga investitorët e huaj, pasi siç thotë ajo, bie interesimi për të investuar.

Se ky borxh publik është tejet i ultë e thotë edhe profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku.

Sipas tij, Kosova duhet të shohë edhe praktikat e borxheve të vendeve të rajonit dhe më gjerë.

Sadiku thotë se qeveria përmes borxheve duhet të rrisë investimet e të sigurojë punësim dhe jo të mburret.

Ditë më parë, ministri i Financave, Hekuran Murati, pretendoi se Kosova është bërë shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë.

“Falë disiplinës fiskale e mirëmenaxhimit të parasë publike, kemi arritur që të ndryshojmë trendin e borxhit shtetëror duke e kthyer sërish në nivele të para-pandemisë. Një konsolidim i tillë është vlerësuar lart edhe nga institucionet ndërkombëtare”, pati shkruar Murati.

Në anën tjetër niveli i borxheve në disa shtete të Bashkimit Evropian ka arrit gati 200 për qind.

Greqia renditet e para me një borxh publik rreth 170 për qind të BPV-së për vitin 2022, Italia rreth 150 për qind dhe Gjermania me rreth 70 për qind. Ndërkaq, borxh të madh ka edhe Shqipëria rreth 70 për qind të BPV-së.

Lexo edhe

Video